Reshjet e rrëmbyeshme të shiut gjatë ditëve të fundit kanë shkaktuar vërshime dhe probleme të shumta në disa komuna të Kosovës, duke rrezikuar infrastrukturën dhe sigurinë e qytetarëve.
Në Drenas, shira të pandërprerë gjatë 24 orëve të fundit kanë përmbytur disa zona të qytetit, ndërsa sipas disa ankesave që ka marrë Telegrafi nga qytetarët, ata kanë mbetur të ngujuar në shtëpitë e tyre.
Vërshime në Drenas
Telegrafi ka kontaktuar me Nexhmendin Grudën nga Drejtoria për Shërbime Publike dhe Emergjencë në Komunën e Drenasit, i cili ka thënë se aktualisht gjendja nuk është alarmante, por që zonat më të prekura janë Arllati, Komorani dhe një pjesë e qytetit.
“Aktualisht në komunën tonë nuk është gjendja kritike, por që në bashkëpunim me zjarrëfikësit, jemi duke u dalë në ndihmë qytetarëve që janë prekur nga reshjet e shiut. Zonat më të prekura janë Arllati, Komorani dhe një pjesë e qytetit, por që situatën e kemi nën kontroll”, tha Gruda.
Meteorologët paralajmërojnë se reshjet mund të vazhdojnë edhe në ditët në vijim, duke rritur rrezikun për përmbytje të tjera.
Situatë problematike vazhdon të jetë edhe në Malishevë, ku parkingu nëntokësor dhe nënkalimi për vetura janë përfshirë sërish nga uji. Ky objekt kishte dalë jashtë funksionit edhe pak ditë pas përurimit të tij, si pasojë e reshjeve dhe grumbullimit të ujit. Edhe pse Komuna e Malishevës më herët kishte deklaruar se problemi lidhej me bllokimin e sistemit të kullimit nga qytetarë të papërgjegjshëm, pamjet e fundit të publikuara në rrjetet sociale tregojnë se situata nuk është zgjidhur. Parkingu mbetet i pakalueshëm për automjetet, duke shkaktuar vështirësi të konsiderueshme për drejtuesit e tyre.
Ndërkohë, Komuna e Gjakovës ka njoftuar se për shkak të shkrirjes së shpejtë të borës në zonat malore dhe reshjeve të vazhdueshme të shiut, gjendja në disa pjesë të komunës paraqitet e paqëndrueshme. Më e rrezikuar situata është pranë lumenjve, të cilët po përballen me prurje të mëdha të ujit. Si pasojë, është bllokuar përkohësisht rruga “Bujar Roka” dhe ura e Shkugëzes, pasi kalimi është vështirësuar nga rritja e nivelit të lumit Erenik.
Situatë e rënduar është edhe në disa pjesë të Prishtinës, ku lagjet si Prishtina e Re, Dardania, Lakërishtë dhe disa zona të tjera janë duke u përballur me vërshime.
Vërshime të mëdha janë raportuar edhe në fshatin Fortesë të Rahovecit, ku pothuajse i gjithë fshati është vërshuar nga uji.
Sipas Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës, reshjet e shiut nga data 3 deri më 5 janar 2026 kanë shkaktuar rritje të ndjeshme të niveleve të ujit në pjesën perëndimore të vendit, veçanërisht në pellgun e Drinit të Bardhë.








