Republika e Iliridës apo marrëveshje të re shqiptaro-maqedone

Shkruan: Muhamer Pajaziti

Në Bruksel sot po zhvillohet një raund i ri i negociatave që pritet të normalizoj raportet mes Kosovës dhe Serbisë. Për më tepër, bazuar në planin franko-gjerman pritet të vendosen rregulla të reja në sistemet qeverisëse që do reflektojnë në gjithë rajonin e Ballkanit.

Nëse vendoset që 4 për qind e serbëve të kenë një automoni të gjerë që do ta dërgonte Kosovën drejt federalizimit dhe jo funksionalitetit, atëherë medoemos do të hapet kutia e Pandorës.

Me rënien e koncepteve dhe parimeve multietnike do të hapan mundësitë për mini Republika të reja në Ballkan.

Në këtë drejtim, shqiptarët e Maqedonisë e kanë shprehur vullnetin e tyre në vitin 1992, kur rreth 400 mijë shqiptarë votuan për një autonomi politike dhe territoriale, e quajtur Ilirida, emër që rrjedh nga fjalët Illyri(a) dhe Da(rdania), emra të rajoneve antike që mbulonin pjesë të Maqedonisë së Veriut të sotme.

Kjo dëshmohet edhe me pllakën e gjetur ditë më parë me mbishkrimin Dardanus, gjurmë të cilat po keqtrajtohen pa mëshirshëm nga arkeolog dhe institucione maqedone.

Për më tepër, kërkesa për Republikën e Iliridës është legjitime, sepse të drejtat e 1/3 të popullsisë shqiptare, apo më shumë, nuk janë realizuar ose nuk janë të krahasueshme as me të drejtat e pakicës serbe në Kosovë.

Por, sdo mend se kjo kërkesë është e vështirë të realizohet nëse llogarisëm në një klasë politike shqiptare opurtuniste dhe që politikat e saja i bazon në pazare të ulta të politikave ditore.

Është vështirë të realizohet edhe nëse shohim angazhim plogësht të shtetit amë dhe faktorit ndërkombëtarë që luan me standarde të dyfishta.

Pra, pa angazhimin serioz të trekëndëshit të lartëpërmendur, vështirë se do të realizohet ky projektë legjitim.

Është për të ardhur keq se faktori politik shqiptarë ka ngecur tek marrëveshja e Ohrit, e cila nuk ka mekanizma dhe instrumente për ta avansuar statusin juridiko-kushtetues të shqiptarëve.

Faktori politik shqiptarë nuk është në gjende ta implemtoj as marrëveshjen shqiptaro-maqedonase, të propozuar vite më parë nga Partia Demokratike Shqiptare, e cila kishte elemente të një federalizimi jo territorial.

Me këtë marrëveshje parashihej gjuha shqipe zytrare pa segregime dhe një konsensus në ndarjen e buxhetit, vendimmarrje, decentralizim të mirëfilltë, rishikim dhe ndarje e re territoriale e komunave etj.

Nuk janë në gjendje as ta implemtojnë modelin e Belgjikës apo Tirolit Jugor. Këtë të fundit e kam propozuar edhe vet si autor në vitin 2012.

Tiroli Jugor, ky rajon autonom me rreth një milion banorë, ku 60 për qind janë italianofolës dhe 35 për qind gjermanofolës, vlen të jetë nën thjerrëzën e shqyrtimit politik në Maqedoni, veçmas në planin e decentralizimit, në relacionet midis pushtetit qendror dhe lokal – përfshirë aspektet politike, financiare, kulturore dhe trashëgimore.

Modeli i Tiroli i Jugut do t’ua mundësonte shqiptarëve një vetëqeverisje territoriale, që konsiston në kompetenca të bartura ligjërisht apo territorialisht për të ushtruar funksione të politikave publike (legjislative, ekzekutive dhe gjyqësore), në mënyrë të pavarur nga burimet e tjera të autoritetit shtetëror. Por, që në përgjithësi i nënshtrohen rendit dhe ligjit shtetëror.

Formimi i një regjimi të tillë mund të përfshijë një gamë të gjerë të strukturave institucionale nga fuqizimi i vetëqeverisjes vendore, deri në ushtrimin e të drejtave të plota simetrike dhe asimetrike të organizimeve federale, si dhe autonominë ( kulturore dhe personale) joterritoriale.

Këto modele nuk i interesojnë klasës politike shqiptare, e cila drejtohet nga një grup opurtunistësh, apo një klike partiake që shkel parimet dhe zotime dhe nuk mban llogari për kërkesat e atyre që i përfaqësojnë.

Derisa grekët arritën qëllimet e tyre me Marrëveshjen e Prespës dhe bullgarët po futen në Kushtetutën e Maqedonisë, shqiptarët duan ta ruajnë status quon.

Nuk e kanë guximin që të mobilizohen për marrëveshjen e re, shqiptaro-maqedonase, qëllimi i tyre është një drejtori, ministri që nuk kanë dhënë rezultate, për sa vite i drejtojnë ata.