Rënie e numrit të të punësuarve në industrinë e Maqedonisë së Veriut, vetëm në gjashtë sektorë ka rritje

Në Maqedoninë e Veriut u regjistrua rënie e numrit të të punësuarve për 3.4 përqind, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak, transmeton Portalb.mk.

“Numri i punëtorëve në sektorin Minierat dhe gurorët gjatë muajit shkurt të vitit 2026, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak, shënon rënie për 6.3 %, në sektorin Industria përpunuese për 3.4 %, ndërsa në sektorin Furnizime me energji elektrike, gaz, avull dhe ajër të kondicionuar për 0.4 %”, raporton Enti Shtetëror i Statistikave.

Në krahasim me shkurtin e kaluar, gjatë këtij shkurti u regjistrua rritje vetëm te prodhimi i duhanit (7%), prodhimi i pijeve (3.4 %), prodhimi i produkteve ushqimore (0.9 %), prodhimi i produkteve të gomës dhe plastikës (3.5 %), prodhimi i metaleve (0.5 %) dhe prodhimi i produkteve kompjuterike, elektronike dhe optike (10.7 %).