Rene Rexhepi jep dorëheqjen nga “Noma” pas akuzave për abuzim dhe mjedis toksik

Tetovari René Rexhepi është tërhequr nga roli i kryekuzhinierit në restorantin me famë botërore “Noma” në Kopenhagë, pas akuzave për abuzim. Rexhepi e bëri të ditur vendimin e tij përmes rrjeteve sociale.

​”Pas më shumë se dy dekadash ndërtimi dhe udhëheqjeje të këtij restoranti, kam vendosur të tërhiqem dhe t’i lejoj liderët tanë të jashtëzakonshëm ta udhëheqin restorantin në kapitullin e tij të radhës,” tha Redzepi.

​Ish-punonjësit e kanë akuzuar kuzhinierin për krijimin e një mjedisi toksik pune, duke përfshirë abuzimin verbal dhe fizik.
​Restoranti luksoz po përgatitej për një qëndrim të rregullt (pop-up) në Los Anxhelos, por sponsorët korporativë u tërhoqën pas pretendimeve për abuzim dhe protestave para lokacionit të tij të përkohshëm.

​”Kërkimi i faljes nuk mjafton, unë marr përgjegjësinë për veprimet e mia. Për cilindo që pyet se çfarë do të thotë kjo për restorantin, më lejoni ta them qartë: ekipi i ‘Noma-s’ sot është më i fortë dhe më frymëzues se kurrë. Jemi të hapur prej 23 vitesh dhe jam jashtëzakonisht krenar për njerëzit tanë, kreativitetin tonë dhe drejtimin në të cilin po lëviz ‘Noma’,” u shpreh Redzepi.

​Ai shtoi se ekipi do të vazhdojë punën në Los Anxhelos pa praninë e tij.
​Redzepi (48 vjeç) ka lindur në Kopenhagë dhe ka origjinë nga fshati Xhepçisht i Tetovës. Që nga hapja në vitin 2003, “Noma” është shpallur restoranti më i mirë në botë në vitet 2010, 2011, 2012, 2014 dhe 2021, duke u bërë sinonim i kuzhinës luksoze ndërkombëtare, ku një menu kushton rreth 500 euro.