Rektori i UT-së, Jusuf Zejneli realizoi vizitë zyrtare në Gjenevë

Rektori i Universitetit të Tetovës, Jusuf Zejneli, prej 11 deri 13 shtator 2023, qëndroi për vizitë zyrtare në Gjenevë të Zvicrës. Gjatë kësaj vizite me karakter pune, Rektori u prit nga ambasadorja dhe përfaqësuesja e përhershme në Misionin permanent të Republikës së Maqedonisë së Veriut në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, Dr. Teuta Agai Demjaha.

Rektori i UT-së zhvilloi takime me rëndësi në selinë e OKB -së në Gjenevë, Organizatën Botërore të Tregtisë, Swiss UMEF University of Applied Sciences Institute, në Universitetin e Gjenevës (University of Geneva) dhe takime të tjera të vlefshme për studentët, stafin akademik dhe në tërësi për zhvillimin e Universitetit të Tetovës. Takimet u realizuan me pjesëmarrjen edhe të Kryetarit të Komunës së Tearcës, Nuhi Neziri dhe Ambasadorit të paqes, Shaban Tahiri.

Në këto takime ai e prezantoi misionin dhe vizionin e Universitetit të Tetovës, duke llogaritur në mbështetjen e institucioneve përkatëse ndërkombëtare. Në agjendën e punës, Rektori i UT-së, në të ardhmen pritet të realizojë edhe vizita të tjera, me qëllim të intensifikimit të bashkëpunimit ndërkombëtar midis Universitetit tonë dhe universiteteve prestigjioze nga rajoni dhe bota.