Rekord i ri shpimi në Detin e Kinës Jugore

Gjeoshkencëtarët kinezë thonë se kanë arritur, për herë të parë, 302.07 metra nën shtratin e detit gjatë një misioni shpimi shkencor në pjesën veriore të Detit të Kinës Jugore.

Shkencëtarët e njoftuan zbulimin e tyre, pasi përfunduan ekspeditën në bordin e “Haiyang Dizhi-10”, një anije studimi gjeologjike detare e ndërtuar në vend.

Thellësia vendosi një rekord të ri për shpimet e Sistemit Kuaternar në zonat kineze, tha Zhang Jinpeng, inxhinier i lartë në “Guangzhou Marine Geological Survey” (GMGS), për China Media Group (CMG).

Shpimi në det të hapur është metoda më e drejtpërdrejtë për të hetuar në brendësi të Tokës dhe i lejon gjeoshkencëtarët të mbledhin mostra të sedimentit dhe shkëmbinjve nga thellësia e Tokës.

Shpimi i fundit u zhvillua 175 kilometra larg grykëderdhjes së lumit Pearl, në provincën Guangdong të Kinës jugore, në një thellësi uji prej 92 metrash, sipas Zhang.

Mostrat gjeologjike të marra nga ky mision do t’i ndihmojnë shkencëtarët të kuptojnë më mirë historinë e krijimit të qymyrit të zonës dhe historinë e evolucionit gjeologjik të deltës së lumit Pearl, si dhe marrëdhënien midis niveleve lokale të detit dhe ndryshimeve klimaterike globale, tha Zhang. (Fatosi)