Reklamat qeveritare nuk e zgjidhin krizën ekonomike të mediave

Petkovska: Ndryshimet në Kodin Penal do të rrisin sigurinë e gazetarëve gjatë raportimit

Paralajmërimet për shfuqizim të ndalesës për reklamim qeveritar në mediat private nuk është zgjidhje për situatën e rëndë ekonomike në të cilën ndodhen ato, vlerëson drejtoresha e Institutit të Maqedonisë për Media Biljana Petkovksa. Ajo në intervistë për REL tha se, nevojiten zgjidhje strategjike dhe të qëndrueshme për mbijetesën ekonomike të sferës mediatike ku duhet të përfshihet edhe shteti, sepse sipas ligjit shtet është përgjegjës të kujdeset për krijimin e ambientit dhe kushteve për funksionim të mediave.

Biljana Petkovska

“Për një kohë më të gjatë propozojmë të formohet Fond për media, ku do të kenë qasje të gjitha mediat që kanë ide të mirë të krijojnë, të ofrojnë përmbajtje cilësore. Propozojmë të ulen tarifat, të ulen taksat dhe në atë mënyrë ajo mund të ndikojë në uljen e shpenzimeve, përmirësim të gjendjes ekonomike, megjithatë asgjë nga kjo nuk është realizuar dhe as që kemi ndonjë paralajmërim që të realizohet diçka. Ne jemi të vetëdijshëm që gjendja ekonomik në media jo që është e keqe, por është katastrofike. Është e keqe veçanërisht gjendja në mediat lokale dhe rajonale të cilat janë para mbylljes”.

E pyetur rreth sulmeve të pandëshkuara ndaj gazetarëve, Petkovska tha se ndryshimet e reja në Kodin Penal, ku sulmi ndaj gazetarëve do të konsiderohet si sulm ndaj personit zyrtar, mund të ndikojnë pozitivisht ndaj mënyrës në të cilën gazetarët raportojnë në teren, në mënyrë profesionale dhe pa frikë nga kërcënime.

Biljana Petkovska

“Ajo ishte me të vërtetë iniciativë e mirë nga ana e Qeverisë, megjithatë aq sa di procedura është tani në Kuvend dhe atje është bllokuar procesi, thënë kushtimisht dhe për arsyet pse është ajo ashtu ka me të vërtetë informata të pakta. Transparenca e gjithë procesit tani pasi iniciativa është në Kuvend është çështje për të cilën shpresoj se do të kemi ndonjë përgjigje nga ana e institucioneve, sepse kështu fitohet përshtypja se paralajmërohen me pompozitet zgjidhje të caktuara pozitive të cilët në fund nuk realizohen assesi”.

Ajo shtoi se gazetarët ende nuk e kanë pozitën dhe vendin që u takon në një mjedis demokratik dhe ka një sërë çështjesh që kërkojnë trajtim serioz nga ana e shtetit dhe tregojnë se si shteti i sheh mediat dhe gazetarët në shoqëri./KlanMacedonia/