Regjim i posaçëm i trafikut nesër në Shkup

Për shkak të festës fetare Zadushnica, nesër duke filluar nga ora 06:00, në Shkup do të vendoset regjim i posaçëm i trafikut, njoftoi Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë së Veriut.

Nga Njësia për Sigurinë e Trafikut Rrugor pranë Sektorit për Punë të Brendshme në Shkup bëhet e ditur se trafiku drejt Varrezave të qytetit në Butel do të zhvillohet në një drejtim, sipas një qarkullimi rrethor.

Sipas planit të paraparë, të gjitha automjetet do të lëvizin nëpër rrugën “Butelska”, do të kthehen majtas në rrugën “Aleksandar Urdarevski”, më pas majtas në rrugën “Boca Ivanova” dhe djathtas deri te hyrja e Varrezave të Butelit.

Për dalje nga varrezat, automjetet do të qarkullojnë djathtas në rrugën “Boca Ivanova” deri te rrethrrotullimi në rrugën “Butelska”, më pas majtas në “Butelska” dhe djathtas në rrugën “Kemal Sejfulla”.

Regjim i posaçëm trafiku do të ketë edhe në afërsi të Varrezave të Kamnikut, Varrezave të Draçevës dhe Varrezave të Gjorçe Petrovit.

Nga MPB u bëhet thirrje qytetarëve që të respektojnë udhëzimet dhe urdhrat e zyrtarëve policorë në rrugët e përfshira nga ky regjim i përkohshëm trafiku, me qëllim garantimin e sigurisë dhe mbarëvajtjes së qarkullimit.