Refugjatët në Britani do të përballen me 20 vjet pritje për të fituar qëndrim të përhershëm

Personat që u është dhënë azil në Mbretërinë e Bashkuar do të duhet të presin 20 vjet para se të aplikojnë për qëndrim të përhershëm, sipas planeve që do të shpallen nga sekretarja e Brendshme, Shabana Mahmood të hënën.

Ndryshimi i madh në politikën britanike të azilit vjen ndërsa qeveria synon të zvogëlojë kalimet me anije të vogla dhe kërkesat për azil.

Sipas planeve, personat që marrin azil do të lejohen të qëndrojnë në Mbretërinë e Bashkuar vetëm përkohësisht, teksa statusi i tyre i refugjatit rishikohet rregullisht dhe atyre, vendet e të cilëve konsiderohen të sigurta, do t’u thuhet të kthehen.

Aktualisht, statusi i refugjatit zgjat pesë vjet, pas së cilës njerëzit mund të aplikojnë për leje qëndrimi të pacaktuar.

Tani sekretarja e Brendshme planifikon të zgjasë ndjeshëm kohën që do të duhet për të fituar qëndrim të përhershëm në Mbretërinë e Bashkuar nga pesë vjet, në 20.

Mahmood i ka thënë Sunday Times se reformat janë “të dizajnuara për t’u thënë njerëzve: mos vini në këtë vend si migrantë të paligjshëm, mos hipni në një anije.

“Migrimi i paligjshëm po e shkatërron vendin tonë”, ka thënë ajo, duke shtuar se ishte detyra e qeverisë të “bashkonte vendin”.

“Nëse nuk e zgjidhim këtë çështje, mendoj se vendi ynë bëhet shumë më i ndarë”, i ka thënë ajo gazetës.

Politika është kopjuar nga Danimarka, ku qeveria e udhëhequr nga Social Demokratët e qendrës së majtë ka kryesuar një nga sistemet më të vështira të azilit dhe imigracionit në Evropë.

Në Danimarkë, refugjatëve u jepen leje qëndrimi të përkohshme, zakonisht dyvjeçare, dhe në fakt duhet të riaplikojnë për azil kur ato skadojnë.

Një total prej 109,343 personash kanë kërkuar azil në Mbretërinë e Bashkuar në 12 muajt deri në mars të këtij viti, një rritje prej 17 përqind krahasuar me një vit më parë, sipas të dhënave të qeverisë.

Sipas shifrave të fundit të Ministrisë së Brendshme, 1,069 migrantë kanë mbërritur në Mbretërinë e Bashkuar në shtatë ditët e fundit.

Më shumë se 39,000 njerëz kanë mbërritur në Mbretërinë e Bashkuar me anije të vogla në vitin 2025.

Numri i mbërritjeve këtë vit është më i lartë se i gjithë viti 2024 dhe viti 2023.