“Reformat në shërbimet e sigurisë, kozmetike”

Reformat e deritanishme në shërbimet e sigurisë kanë qenë vetëm kozmetike, vlerësojnë nga Qendra për strategji evropiane “Eurothink”. OJQ-të kërkojnë reforma rrënjësore dhe transparencë nga institucionet e sigurisë.

Me hyrjen në NATO gjithsesi se do të ndikojë pozitivisht në profesionalizmin, sepse kur do të uleni së bashku me kolegët nga NATO nuk mund të improvizoni, sepse ata nuk do të ndajnë informata nëse nuk besojnë në cilësinë e punës suaj. Ajo që ne kërkojmë është të kemi rritje të transparencës në ato institucione që janë kompetente për të kryer mbikëqyrje dhe kontroll”-tha Magdalena Lembovska, “Eurothink”.

Ndonëse me avancimin e vendit në rrugën euroatlantike pritet përmirësimi i shërbimeve të sigurisë, një gjë e tillë nuk ka ndodhur me Serbinë dhe Malin e Zi. Përfaqësues të OJQ-ve nga këto dy vende thonë se në Serbi shërbimet e sigurisë janë partizuar plotësisht, ndërsa shërbimet malazeze të sigurisë janë më të mbyllurat në rajon. Ata ftojnë Shkupin të mësojë nga gabimet e Beogradit dhe Podgoricës.

Mali i Zi është bërë anëtare e NATO-s, ky proces ka ndihmuar për modernizimin e sektorit. Megjithatë ajo që ishte në fokus të NATO-s nuk është përputhur me atë që është në interesin tonë si qytetarë. Dëshirojmë të kemi institucione të përgjegjshme para opinionit dhe t’i përgjigjen gjithë opinionit publik dhe jo vetëm elitave politike”-pohoi Dina Bajramspahiq, Instituti “Alternativa”, Mal i Zi.

Në Serbi ka trend të partizimit të skajshëm, një situatë shumë më të keqe se ajo në Maqedoni para 5 6 vitesh, kur politikanët instrumentalizuan shërbimet e sigurisë për interesat e tyre personale”-theksoi Predrag Petroviq, Qendra e Beogradit për politikë të sigurisë, Serbi.

Komisioni Evropian kërkoi nga Shkupi të reformojë shërbimet e sigurisë si pjesë e “Reformave urgjente prioritare” qysh në vitin 2015. Por vetëm më 1 nëntor të vitit 2018 u formua Agjencia Teknike Operative, si institucion që do të ndërmjetësojë sinjalin për përgjimet, ndërsa më 1 shtator të këtij viti filloi me punë Agjencia për Siguri Kombëtare, institucion ky që zëvendëson Drejtorinë për Siguri dhe Kundërzbulim. Serbia dhe Mali i Zi edhe pse kanë filluar negociatat anëtarësuese me BE-në kanë ngecur në kapitujt 23 dhe 24, që kanë të bëjnë me drejtësinë dhe sigurinë. Serbia këto kapituj i hapi në vitin 2016, ndërsa Mali i Zi në vitin 2013 dhe madje kjo e fundit është anëtare e NATO-s që nga 2017-ta.