Reflektimet e Ramës, uron festat dhe pranon gabimet

Kryeministri Edi Rama përmes një mesazhi në facebook në vigjilje të ndërrimit të viteve iu drejtua qytetarëve për të gjitha shqetësimet e ngjarjet e vitit 2019 dhe projektet e vitit që po troket.

Rama: Duhet ta kthejmë vitin e ri në një vit rezultatesh domethënëse për shtëpinë tonë të përbashkët. Viti 2020 duhet të shënohet si viti i një kthese historike në shërbimet për qytetarët. Revolucioni dixhital, me ofrimin e shërbimeve në çdo sportel. Viti i vënies përpara lupës së ligjit të cdo pasurie që buron nga krimi dhe trafiqet e çdo lloji. Viti 2020 duhet të shënohet si viti i fillimit të një historie të re shqiptare në administrimin dhe zhvillimin e pasurisë kombëtare të bregdetit të mrekullueshëm të Shqipërisë. Viti 2020 duhet të shënohet si viti i zgjidhjes përfundimtare të problemit të pronës për dhjetëra mijëra familje në fshat. Viti 2020 duhet të shënohet si viti i një serie investimesh madhore në infrastrukturë dhe në energji. Viti 2020 duhet të shënohet si viti i garantimit përfundimtar të transformimit të infrastrukturës sonë universitare.

Kryeministri pranoi se ka bërë gabime, por theksoi se nuk ka bërë asnjëherë premtime të cilat e dinte më parë se nuk do të realizoheshin.

Rama: Nuk jam i rënë nga qielli nuk kam menduar ndonjëherë se jam pa të meta përkundrazi kam më shumë se ju, ndoshta se jam më i gjatë nuk më ka thënë kurrë mendja se jam i pagabueshëm përkundrazi jam më shumë se ju. Për shkak të punës duhet të marr vendime më shumë se ju. Nuk kam bërë asnjë gabim të qëllimshëm për të përfituar në dëm të popullit. Kush më njeh nga afër e di që nuk këmbëngul në një opinion të gabuar, i dëgjoj kundërargumentet më shumë se duhet. Kam kërkuar edhe ndjesë publike kur kam gabuar. Nuk më kujtohet ta ketë bërë ndonjë paraardhës i imi. Por nuk e mas veten me ketë metër. Jo të gjitha gjërat që kam premtuar i kam arritur në kohë, nuk kam premtuar diçka për ë kaluar radhën apo thjesht për vota. Kurrë. Nuk jam nga soji i politikanëve që gënjej për vota. Pse do të duhet të gënjeja, të premtoja gjëja që nuk i besoja as vetë? Kundërshtarët mund ti mundja me çerekun e premtimeve që kam bërë. Balta e pafundme për hajdutllëqe nuk mund të bjerë mbi mua. S’jam i varfër dhe nuk kam ëndërruar të jem i pasur. Këtë detyrë e jetoj si privilegjin më të madh.

Në mesazhin që zgjati 39 minuta kryeministri nuk la jashtë vëmendjes as minishengenin.

Rama: Unë tradhtar, motra dhe vëllezër nga Kosova! Po si, ku, si pse? Mesa duket të tjerët kanë një zotësi që unë nuk e kam dhe dinë ta luajnë rolin për mua të neveritshëm të mëmëdhetarit të flaktë, të patriotit të përvëluar, të shqiptarit që digjet për flamur dhe për atdhe, sa flitet për shkjaun.

Madje sipas Ramës janë drejtuesit aktual në Kosovë që nuk po mundin ti japin zgjidhje situatës së pas zgjedhjeve.

Rama: Shengeni rajonal nuk është Jugosllavi e re, sic thonë ata që nuk bëjnë dot asnjë qeveri me dy parti në Kosovën që e duan aq shumë.

Pasi ka rrekur të gjitha çështjet e vitit por dhe ato aktuale, kryeministri e ka mbyllur dhe me një urim për të gjithë shqiptarët.

Rama: Më e mira u bëftë për ju dhe gjithkënd ju do zemra.