Kryeministri Dimitar Kovaçevski sot në Tetovë sërish komentoi nismën e VMRO-DPMNE-së për referendum në lidhje me propozimin francez për zgjidhjen e çështjes me Bullgarinë, respektivisht për nisjen e bisedimeve me BE-në, përcjell TV21. Kovaçevski tha se VMRO-ja dhe “E Majta” janë dy partitë e vetme kundër BE-së.
“VMRO-DPMNE-ja është parti që ishte kundër anëtarësimit në NATO. VMRO-DPMNE-ja tash me partnerin e ri të tyre të koalicionit, Levicën, janë dy partitë e vetme që janë kundër anëtarësimit në BE, ata këtë e treguan qartë gjatë votimit të propozimit nga Bashkimi Evropian rreth nisjes së negociatave me Maqedoninë e Veriut, megjithatë numri shumicë i deputetëve, 68, që i përfaqësojnë qytetarët morën vendim që Maqedonia e Veriut të nis negociatat. Ky referendum që flet kryetari i VMRO-DPMNE-së është vetëm për përdorim të brendshëm partiak”, tha mes tjerash Kovaçevski.
Kreu i ekzekutivit tha se nuk ka kthim nga rruga evropiane e vendit.
“Ky shtet që nga dita e konferencës së parë ndërqeveritarë ka nisur rrugëtimin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian, nga kjo rrugë nuk ka as mbrapa, as në të majtë, aq më pak në të djathtë, respektivisht nga Lindja”, pohoi mes tjerash Kovaçevski.




