Rebelët Huthi thonë se Izraeli ka sulmuar kryeqytetin e Jemenit

Rebelët jemenas Huthi thanë se Izraeli po kryen sulme të rënda ajrore në kryeqytetin e Jemenit, Sana.

Ende është e paqartë se çfarë caqesh po sulmohen ose nëse ka viktima.

Anees al-Asbahi, zëdhënës i Ministrisë së Shëndetësisë të udhëhequr nga rebelët, dhe zëdhënësi ushtarak, Yahya Saree, konfirmuan sulmet e 10 shtatorit.

Izraeli ende nuk ka reaguar për këto raportime.

Izraeli edhe në të kaluarën ka kryer sulme në përgjigje të sulmeve të kryera nga rebelët jemenas, Huthi – të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara – me raketa dhe dronë drejt Izraelit.

Rebelët Huthi mbështeten nga Irani. Ky grup jemenas, mbështet Hamasin – grupin palestinez të shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian – dhe palestinezët në Rripin e Gazës.

Që kur ka nisur lufta në Gazë në tetor të vitit 2023, rebelët jemenas kanë gjuajtur raketa dhe dronë drejt Izraelit, por edhe kanë sulmuar anije në Detin e Kuq./rel