Reali në plus katër, titulli në La Liga gjithnjë e më afër

Real Madridi është gjithnjë e më afër titullit të 34-të në La Liga.

“Klubi mbretëror” nuk e pati lehtë kundër Getafes, por megjithatë shënoi një fitore shumë të rëndësishme me golin e Serhio Ramosit nga penaltia në minutën e 79-të. Ky ishte goli i tij i nëntë këtë sezon në Primera.

Reali tani ka katër pikë më shumë se Barcelona në pesë xhiro deri në fund dhe orar më të lehtë të ndeshjeve.

Reali si mysafir do të luajë kundër Atletiko Bilbaos, Granadës dhe Leganesit, ndërsa në Santiago Bernabeu kundër Alavesit dhe Viljarealit.

Ndërkaq, Barcelona, e cila nuk është në formën e saj më të mirë, në pesë xhirot e fundit luan si mysafir kundër Viljarealit, Valjadolidit dhe Alavesit, ndërsa në Kamp Nou i pret Espanjolin dhe Osasunën.