Reagon për sulmet në Vjenë imami nga Shkupi që jeton në Gjermani

Sulmet e fundit terroriste në Francë dhe Austri si dhe abuzimi gjithnjë e më i madh me fenë tonë nga individë dhe lëvizje ekstremiste, më shtyjnë të riafirmoj dhe të shpjegoj, ashtu që të mos e keqinterpretojë dot askush, atë çka unë si imam dhe kolegët e mi themi dhe predikojmë çdo ditë.

Si muslimanë, jemi të tronditur nga krimet e kryera në emër të fesë sonë në Francë dhe Austri. I dënojmë me forcë të gjitha këto akte të tmerrshme, të cilat për ne janë joislame dhe çnjerëzore.

Këto ngjarje në kanë pezmatuar thellë dhe shprehim solidaritetin tonë me viktimat, kudo dhe kushdo qofshin. Lajmet e fundit për ne janë po aq shqetësuese sa për këdo tjetër, në mos më shumë, pasi është feja jonë ajo që po shtrembërohet në mënyrë kaq të shëmtuar.

A duhet ta ngrejnë zërin më shumë muslimanët dhe imamët e dijetarët e tyre? Po, pa dyshim! Të marrët, të pagdhendurit dhe të çorientuarit, autorët e dhunës, po përcaktojnë imazhin e fesë sonë kudo. Në mos na takoftë neve që të ngrihemi kundër tyre, kujt tjetër i takon?

Ata që presin koka me gjakftohtësi, që marrin jetë të pafajshme dhe nxisin urrejtje, për ne janë mufsidun, siç i quan Kur’ani, njerëz që përhapin të liga në tokë. Kur’ani urdhëron dënimin më të rëndë për ta (7:33). Së bashku duhet të veprojmë më vendosmërinë më të madhe kundër terroristëve (mufsidun).

Kur’ani e dënon në mënyrën më të ashpër vrasjen e të pafajshmëve: “…kush vret një njeri, përveç se si ndëshkim për vrasje apo keqbërje në tokë, është si të ketë vrarë të gjithë njerëzimin…” (Kur’an, 5:32)

Nisur nga urdhri kur’anor: “O ju që keni besuar, hyni në paqe plotësisht…” (Kur’an, 2:208), muslimanët duhet ta deklarojnë qartë dhe fuqishëm mbështetjen e tyre për paqen, kudo dhe kurdoherë. “Muslimani [paqedashësi] është ai nga dora dhe gjuha e të cilit muslimanët [paqedashësit] e tjerë ndihen të sigurt.” (Profeti Muhammed). Të tjerët, kushdo qofshin, duhet të ndihen se mund të jetojnë në paqe me muslimanët dhe kudo e kurdo ta dinë së asnjë rrezik nuk u kanoset prej tyre.

U bëj thirrje të gjithë muslimanëve:

Të distancohen fort nga urrejtja e dhuna me motive fetare dhe në asnjë rrethanë të mos identifikohen apo të solidarizohen drejtpërdrejt apo tërthorazi me terroristët, të mos i mbrojnë apo nënvlerësojnë aktet e tyre.

Gjatë pandemisë, kur është e vështirë të organizohen tubime, mund ta ngrejnë zërin kundër abuzimin me fenë tonë në mediat sociale, me mesazhe të shkruara apo filmike.

U bëj thirrje të gjithë imamëve dhe dijetarëve:

Të flasin për dhunën në ligjërimet e tyre fetare gojore apo me shkrim, ta quajnë me emrin e saj, të distancohen nga opinionet e dijetarëve që e tolerojnë dhunën dhe të mbajnë qëndrime të qarta.

U bëj thirrje të gjithë të rinjve:

Mos u gënjeni dhe mos u joshni nga propagandistët në internet. Nëse të tjerët kryejnë apo thuhet se kryejnë padrejtësi ndaj muslimanëve apo e sulmojnë Islamin, ju nuk mund të përmirësoni asgjë duke kryer vetë padrejtësi. “…zbrapseni të keqen me diçka më të mirë…” (Kur’an, 41:34). Terrori kurrë nuk është zgjidhje, por gjithmonë është një akt i lig.

U bëj thirrje politikanëve:

Të bashkëpunojnë me bashkësitë e xhamive për të gjetur mënyra të përbashkëta për ta luftuar terrorizmin. Politikanët duhet urgjentisht të përvetësojnë një qëndrim më të diferencuar dhe të dallojnë se nga ç’anë vjen vërtet rreziku, ta luftojnë me vendosmëri atë por gjithashtu të bashkëpunojnë me po aq vendsmëri e t’u ofrojnë mbështetje të përkushtuar atyre që e interpretojnë Islamin si një fe të paqes dhe që mund të veprojnë në mënyrë shumë më efikase kundër abuzimeve në emër të fesë.

U bëj thirrje shoqërisë, mediave dhe politikanëve:

Të mos e përshoqërojnë,drejtpërdrejt apo tërthorazi, terrorin me Islamin. Kjo ua lëndon ndjenjat muslimanëve paqedashës. Mundem vetëm t’i bëj thirrje kujtdo që të mos na masë ne me vrasësit, kudo qofshin në botë. As ne, as Islamin.

Veprimi kundër ekstremizmit ka efekt vetëm kur bëhet kolektivisht.

Ashtu siç muslimanët paqedashës mbajnë një qëndrim të palëkundur kundër ekstremizmit, presim – dhe jo vetëm në kohëra kur ekstremizmi i djathtë dhe islamofobia janë në rritje – përkushtim të përbashkët nga të gjithë ata që duan të ndërtojnë e të ruajnë një të ardhme të lulëzuar, të përbashkët e të paqtë në Evropën e sotme. Paqja është kumti i përbashkët i të gjitha feve. Prandaj u bëjmë thirrje muslimanëve dhe jomuslimanëve që ta ngrejnë më shumë zërin kundër dhunës dhe urrejtjes.

Imam Dr. Benjamin Idriz

Imam i Bashkësisë Muslimane të Penzbergut

Kryetar i Forumit Islam të Mynihut