Reagon Pendarovski pas deklaratës së Mickoskit

Qëndrimet e Presidentit Stevo Pendarovski për ngjarjet e 27 prillit janë të qarta për opinionin publik maqedonas dhe ato fare nuk varen nga takimi me z.Mickoski, thuhet në reagimin e shefit të shtetit, Stevo Pendarovski lidhur me deklaratën e liderit të VMRO-DPMNE-së, Mickoski, i cili tha se Pendarovski para tij ka pasur një fytyrë, kurse para kamerave fytyrë tjetër.

“Fakti që pas takimit të djeshëm nuk kishte kumtesë ose konferencë shtypi të përbashkët, tregon qartë se secili bashkëbisedues pas takimit i prezantonte vetëm pikëpamjet dhe vlerësimet e veta për ato ngjarje. Përndryshe, Presidenti Pendarovski asnjëherë në opinion publik nuk i komenton detajet dhe kërkesat e bashkëbiseduesve të tij, veçanërisht ato që janë jashtë temave që janë paralajmëruar për diskutim. Prandaj, as kësaj radhe nuk do ta bëjë këtë, thuhet në kumtesën e lëshuar nga Zyra e Presidentit Stevo Pendarovski./TV21