Trajneri i Spanjës, Luis Enrique, e ka mbrojtur Sergio Ramosin pas penalltive të humbura në barazimin e Spanjës 1:1 me Zvicrën në Ligën e Kombeve të shtunën. Ai nuk beson se penalltitë e humbura do të ndikojnë në vetëbesimin e qendërmbrojtësit të Real Madridit.
Ramosi i humbi dy penallti të shtunën kundër Zvicrës, duke i dhënë fund një ecurie mbresëlënëse prej 25 penalltive të shënuara radhazi për klubin dhe kombëtaren, transmeton Gazeta Express.
Enrique tha pas ndeshjes se kritikat ndaj Ramosit do të ishin të padrejta.
“Do të ishte e padrejtë ta kritikonim Ramosin tani. Edhe nëse do t’i kishin pasur tri, katër apo sado penallti, ai do t’i kishte gjuajtur të gjitha”, tha Enrique.
“Ne e kemi një listë të gjuajtësve të penalltive dhe Ramosi është i pari. Ai do t’i kishte gjuajtur të gjitha. Ai i shënoi 25 radhazi, prandaj ne nuk do ta kritikojmë tani”, shtoi ai.




