I inkurajojmë të gjitha kompanitë që t’i qasen përfaqësimit të bashkësive etnike në të njëjtën mënyrë si sektori publik, deklaroi ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi, duke folur për masën e paralajmëruar të ndihmës shtetërore për kompanitë që do të punësojnë sipas parimit të përfaqësimit të barabartë etnik.
“Ne i inkurajojmë ata, në pjesën e një shoqërie të barabartë për të gjithë edhe për shqiptarët, edhe për maqedonasit dhe për të tjerët, ne i inkurajojmë ata që të pasqyrojnë strukturën e shtetit, siç është në sektorin publik. Ne nuk e dimë nëse kompanitë private do ta bëjnë këtë”, tha Bekteshi pjesëmarrjes së tij në emisionin Top Tema në në televizionin Telma.
Ai theksoi se kjo masë është parashikuar në programin politik të Qeverisë dhe duhet të zbatohet në katër vitet e ardhshme, në lidhje me pikëpamjet e ndryshme të shprehura nga përfaqësuesit e LSDM-së, deklaroi ai se “para se t’i komentojnë, duhet t’i lexojnë programet qeveritare”.
Ndaj kësaj deklarate ka reaguar drejtori i një banke të madhe private me kapital të huaj në Maqedoninë e Veriut. Ai thotë se nëse merret seriozisht kjo deklaratë e Bekteshit, atëherë shumë shqiptarë duhet të përjashtohen nga puna, sepse në bankën ku ai është drejtor, ka më shumë shqiptarë se në çdo ndërmarrje publike që e udhëheq ndonjë drejtor ose zevendes drejtor i BDI-së.
“Nëse e përcjellim përfaqësimin në sektorin publik, ne duhet të largojmë shqiptarë e jo të pranojmë tjerë, sepse përfaqësimi në bankën tonë është më i lartë se në institucionet që i udhëheq BDI-ja. Le ta publikojë BDI përfaqësimin e shqiptarëve në ndermarrjet që i udhëheq kjo parti dhe ju garantoj se në asnjë prej tyre përfaqësimi i shqiptarëve nuk është mbi 7 për qind. Në bankën tonë kemi rreth 20 për qind shqiptarë”, thotë drejtori në fjalë duke kërkuar të mbetet anonim për momentin. Por ai premton se do të dalë publikisht me emër e mbiemër, nëse BDI publikon shifra zyrtare e “jo paushalle” për përfaqësimin e shqiptarëve.
“Nëse nuk është e saktë kjo që po e them, ju premtoj se do e lë edhe postin edhe do largohem nga Maqedonia”, thekson ai.