Reagoi Shkëndija: Mjaft heshtëm, do të informojmë edhe ndërkombëtarët, gjyqtarët po e favorizojnë Vardarin, po na dëmtojnë neve

Në kuadër të javës së XXII-të, Shkëndija e Tetovës luajti kundër AP Brera. Vendasit ishin duke udhëhequr deri në minutën e fundit, por në fund mysafirët nga Strumica barazuan, transmeton Portalb.mk.

“Për një kohë të gjatë kemi zgjedhur të heshtim, duke besuar se institucionet përgjegjëse do të reflektojnë dhe do të marrin masa për të garantuar drejtësi në kampionat. Fatkeqësisht, ajo që ndodhi sot në dy ndeshjet e xhiros së 22-të të LPFMV-së (Shkëndija-Brera dhe Sileksi-Vardari) është kufiri i fundit”, deklaruan nga Shkëndija.

Shkëndija vlerësoi se arbitrat vazhdimisht janë duke e favorizuar Vardarin, ndërsa hehstja e tyre është marrë si dobësi.

“Nëse kjo qasje e pabarabartë ndaj garës vazhdon, me referime skandaloze ne do të jemi të detyruar të vëmë seriozisht në pikëpyetje vazhdimin e investimeve tona në këtë ambient. Njëkohësisht, për gjithë ngjarjet, rrjedhën dhe zhvillimet e kampionatit tonë do të informojmë institucionet ndërkombëtare, përfshirë edhe UEFA-në”, raportoi Shkëndija, duke shtuar se “futbolli duhet të vendoset në fushë, jo në tavolinë. Shkëndija nuk kërkon asgjë më shumë se kaq!”.

Me këtë barazim, Shkëndija e krijoi një mundësi të re për Vardarin. Ky i fundit arriti të marrë një pik si mysafir i Sileksit. Pas këtyre rezultateve, Vardari gjendet në pozitën e parë me 55 pikë, tri pikë më shumë sesa Shkëndija.

Në pozitën e tretë gjendet Struga me 47 pikë, ndërsa Bashkimi i pesti me 32 pikë, gjashtë pikë më shumë se Arsimi që gjendet e teta. Në fund të tabelës gjendet Shkupi me një pik.

Arsimi nesër do të luajë kundër Rabotniçkit, ndeshje e cila do të përmbyll edhe javën e XXII-të.

Kampion i Ligës së Parë në sezonin 2024/25 u shpall Shkëndija e Tetovës, ndërsa Vardari fitues i Kupës. Në sezonin 2025/26 në Ligën e Parë luajnë Shkëndija, Struga, Shkupi, Bashkimi dhe Arsimi që u kualifikua nga Liga e Dytë për herë të parë.

Në gjysmëfinale të Kupës së Maqedonisë së Veriut u kualifkua për herë të parë Shkëndija e Haraçinës, e cila do të përballet me fituesin e ndeshjet Struga – Shkëndija. Gjysmëfinalja tjetër do të jetë ndërmjet Sileksit dhe Ohrit.

Në gjysmëfinale do të luhen nga dy ndeshje. Ndeshjet e parë gjysmëfinale do të luhet më 1 prill, e dyta më 22 prill, ndërsa finalja më 20 maj.