Reagimi i Rusisë për bashkim kombëtar, Nishani: Rama i furnizoi me “barut” për të qëlluar mbi shqiptarët

Rusia ka reaguar ndaj deklaratës së kryeministri Edi Rama për bashkimin e Kosovës dhe Shqipërisë, derisa këtë e ka quajtur të papranueshme.

Lidhur me këtë ka reaguar ish presidenti Bujar Nishani, i cili ka thënë se Rama edhe kur tenton ta luajë rolin e patriotit, i furnizon antishqiptarët me “barut” për të qëlluar po mbi shqiptarët, përcjell Bota sot.

Përmes një postimi në Facebook, ai ka thënë se nuk është nevoja për deklarata folklorike por vetëm duhet të punohet në shërbim të interesit kombëtar.

Postimi i tij i plotë:

Edi Rama edhe kur tenton të luajë rolin e “patriotit” përsëri i shërben shqiptarofobëve duke i furnizuar me “barut” për të qëlluar po mbi shqiptarët.

Kryeministri i Shqipërisë nuk ka kurrfarë nevoje të konsumohet me retorikë folklorike pa asnjë produkt.

Çdo qeveri në Shqipëri mjafton veç të punojë në shërbim të Interesit Kombëtar!

Kaq! Punë, punë, punë.

Ka ardhur koha që politika shqiptare të shpëtojë njëherë e mirë nga politikanët dërguar si “pako postale”, i investimit antishqiptar prej Beogradit, në çdo qoshe të politikës qofshin ata.

Është koha që përgjegjësia t’ju rikthehet patriotëve, të ndershmëve, guximtarëve.