Reagim i zv.ministres Zekolli-Shaqiri për dëmtimin e flamurit

Zëvendësministrja për Transport dhe Lidhje, Kaltrina Zekolli Shaqiri, në një reagim drejtuar mediave, ka dënuar aktin e grisjes së flamurit shtetëror të Maqedonisë së Veriut, ndërsa asnjë fjalë nuk e ka theksuar për djegien e flamurit shqiptarë mbrëmë nga grupi i ashtuquajtur “Patriotët e Maqedonisë”, akt ky që u transmetua në rrjetet sociale.

Reagimi i plotë i zëvendësministres Kaltrina Zekolli Shaqiri:

Me keqardhje dhe shqetësim të thellë kam marrë lajmin për dëmtimin e flamurit të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Flamuri është simboli më i lartë i identitetit dhe dinjitetit kombëtar dhe si i tillë meriton respekt të plotë nga të gjithë qytetarët, pavarësisht bindjeve apo përkatësive të tyre.

Çdo akt i tillë nuk përfaqëson vlerat e bashkëjetesës dhe respektit të ndërsjellë që ne si shoqëri promovojmë. Ftoj organet kompetente të ndërmarrin masa të menjëhershme për të ndriçuar rrethanat e këtij incidenti dhe për të mbrojtur simbolet tona shtetërore.

Njëkohësisht, apeloj për qetësi dhe vetëdijesim të qytetarëve – bashkëpunimi dhe respekti janë rruga e vetme drejt një të ardhmeje të përbashkët më të mirë.