Rasti i Onkologjisë në Shkup, Klisarovska: Për shkak të skandalit, kritikohet i gjithë personeli

Drejtoresha e Klinikës së Onkologjisë, Violeta Klisarovska, thotë se gjithë personeli vazhdimisht kritikohen nga pacientët për shkak të besimit të thyer, ndërsa shton se si punonjës të Klinikës kanë nevojë më të madhe për zbardhjen e skandalit dhe kërkojnë që kur të përcaktohet përgjegjësia të publikohet me emër dhe mbiemër.

Klisarovska po ashtu tha se në hetimin e skandalit me vjedhjen dhe rishitjen e citostatikëve bashkëpunojnë plotësisht me organet e rendit. Ajo shton se siguria e barnave është ngritur në nivelin më të lartë dhe se nuk ka më manipulime me barna dhe ka vetëm probleme me mungesën e tyre. Onkologjia aktualisht ka mbi 70 mijë pacientë aktivë.

“Ne kemi nevojën më të madhe që ta zbardhim atë rast, kështu që si menaxhment i Klinikës, do të thotë në nivel institucional, jemi të hapur për bashkëpunim, besoj se edhe Prokuroria mund ta konfirmojë me të gjitha të dhënat dhe informacionet që duhen, pra ne jemi të hapur dhe bashkëpunojmë.

Dhe sa më shpejtë që është e mundur, kërkojmë që rasti të zbardhet dhe nëse vërtetohet fajësia, kërkojmë që të jetë me emër dhe mbiemër, të mos ketë identifikim të të gjithë mjekëve dhe të gjithë infermierëve me fajtorët e këtij rasti.”- deklaroi Violeta Klisarovska, Drejtoreshë e Klinikës së Onkologjisë.