Prokuroria Themelore në Ferizaj, Departamenti për Krime të Rënda, ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit prej 30 ditësh ndaj të pandehurit R.M, i cili është i ndaluar për 48 orë.
Sipas Prokurorisë Themelore në Ferizaj, ekziston dyshimi i bazuar se prej vitit 2016 deri në 2019, në bashkëkryerje me të pandehurit Z.G. dhe A.X., kanë ndihmuar të pandehurin A.Ç., në kryerjen e veprës penale “Marrje e ryshfetit” për lëshimin e pëlqimeve mjedisore në Parkun Kombëtar “Sharri” në zonën e Brezovicës.
“Po ashtu, ndaj të njëjtit, ekziston dyshimi i bazuar se prej vitit 2016 deri në vitin 2019, në bashkëkryerje me të pandehurit Z.G., dhe A.X., kanë pranuar para me qëllim të ushtrimit të ndikimit të padrejtë në vendimmarrjen e personit zyrtar, me këtë do të kryenin në bashkëkryerje veprën penale “Ushtrimi i ndikimit ” nga neni 431 par. 2 lidhur me nenin 31 të KPRK-së”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë, transmeton Klankosova.tv.