Rast tragjik në Australi, vajza 16-vjeçare vdiq pasi u sulmua nga një peshkaqen në lumë

Një vajzë 16 vjeçare vdiq pasi u sulmua nga një peshkaqen kur po notonte në një lumë në Australinë Perëndimore.

Ajo u shpall e vdekur pasi u tërhoq nga lumi Swan, në periferi të Perth të Fremantle, të shtunën, transmeton Telegrafi.

Besohet se vajza nga Perth, po shëtitej me motor uji me miqtë në lumë kur ndodhi ngjarja.

Inspektori Paul Robinson, nga Policia e Australisë Perëndimore, tha se e ishte e mundur që vajza kishte kërcyer në ujë për të notuar me delfinët që shiheshin aty pranë.

Ai e përshkroi incidentin si “shumë, shumë traumatik” dhe familja e vajzës ishte “absolutisht e shkatërruar nga lajmi”.

Njerëzve iu është kërkuar të bëjnë “kujdes shtesë” dhe të respektojnë çdo mbyllje të plazhit.

Ekspertët e peshkimit thonë se është e pazakontë të gjesh peshkaqenë në atë pjesë të lumit, tha Robinson.

Ky besohet të jetë sulmi i parë fatal nga peshkaqeni në lumin Swan që kur një djalë 13-vjeçar u vra në janar të vitit 1923.

Australia zakonisht regjistron rreth 20 sulme peshkaqenësh çdo vit, me shumicën në Uellsin e Ri Jugor dhe Australinë Perëndimore.

Pati dy sulme fatale të peshkaqenëve në vitin 2021 dhe shtatë në vitin 2020.

Historikisht, vdekja nga kafshimi i peshkaqenit nuk është e zakonshme. Në më shumë se një shekull të dhënash, shkalla e vdekshmërisë nga sulmet e peshkaqenëve në Australi është 0.9 – më pak se një person në vit.