Një pilot ushtarak amerikan po përballet me akuza të rralla dhe të papritura pas kritikave të hapura dhe publike të bëra ndaj Presidentit Donald Trump në lidhje me luftën e Iranit. Ky rast besohet se përbën të parin precedent madhor në historinë e ushtrisë amerikane ku një major akuzohet sipas Kodit Uniform të Drejtësisë Ushtarake (UCMJ) për përdorimin e fjalëve përçmuese ndaj zyrtarëve të lartë shtetërorë.
Majori i Forcave Ajrore, Jason Watson, 40 vjeç, është ndaluar dy herë gjatë javëve të fundit nga autoritetet ushtarake. Përveç akuzave kryesore, avokati i tij mbrojtës konfirmoi për CBS News dhe CNN se ndaj tij janë ngritur akuza edhe për tre shkelje specifike të Nenit 88, si dhe akuza për mosbindje ndaj urdhrave zyrtarë dhe sjellje të papërshtatshme me statusin e një oficeri ushtarak.
“Watson i qëndron besnik faktit se e bëri këtë që të tjerët të mos kishin nevojë ta bënin.”, tha avokati Mbrojtës i Majorit Jason Watson
Kronologjia e ngjarjes dhe arrestimet
Më 1 korrik majori Watson u arrestua për herë të parë pasi doli në shkallët e Kapitoli-t të SHBA-së i veshur me uniformë ushtarake gjatë një proteste. Ai mbante një pankartë me mbishkrimin “Impeach. Convict. Remove” (Ndrirje. Dënim. Shkarkim), duke bërë thirrje të drejtpërdrejtë për shkarkimin e Presidentit Trump.
Pas një interviste të dhënë për rrjetin CNN, Watson u arrestua për herë të dytë. Gjatë deklaratës së tij televizive, ai u shpreh se zoti Trump “jo vetëm që është një dështim si president, por ai po shkel në mënyrë flagrante Kushtetutën, po shkel ligjin, është i përfshirë në korrupsion të përhapur dhe po vret amerikanë”.
Reagimi i komandës ushtarake
Publikimi i akuzave shënon një rast tejet të rrallë ku forcat e armatosura zgjedhin të veprojnë përmes një procesi të hapur gjyqësor dhe jo përmes masave administrative apo ndëshkimeve pas dyerve të mbyllura.
Pas arrestimit të parë në muajin korrik, Sekretari i Forcave Ajrore, Troy Meink, reagoi publikisht në mediat sociale duke nëvizuar rëndësinë e disiplinës strikte në radhët e ushtrisë. Ai deklaroi se pret nga çdo pilot që të “zbatojë të gjitha ligjet dhe politikat në lidhje me sjelljen personale, pjesëmarrjen politike dhe rregullat e veshjes së uniformës”.
/rtsh.al/



