Rashiti: Kosova, “paciente” pa terapi nga jashtë

Kosova po përjeton krizë politike e institucionale dhe gjendet para zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, të cilat sërish “nuk garantojnë stabilitet”, vlerëson Naim Rashiti, drejtor i Grupit Ballkanik për Politika në Prishtinë.

Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, ai thotë se në sytë e faktorit ndërkombëtar, Kosova po përjeton “krizë politike dhe institucionale sistematike”.

“Kjo situatë të bën joadekuat për të qenë bashkëbisedues me faktorin ndërkombëtar dhe me agjendat ndërkombëtare, qoftë për anëtarësim [në Bashkimin Evropian], qoftë për proceset e agjendave rajonale”, thotë Rashiti.

Sipas tij, Kosova ka vite që e ka humbur besueshmërinë në raport me faktorët ndërkombëtarë.

“Kosova është bërë një plagë e vogël, por pa ndikim përtej, e cila trajtohet si një ‘paciente’ e lënduar, e papjekur, e sëmurë dhe që duhet pritur të shërohet, por për të cilën nuk vjen terapia nga jashtë”, thekson Rashiti.

Siç thotë ai, Kosova aktualisht ka një kastë politike “që nuk i beson as vetvetes, as aktorëve rreth saj, as strukturave të veta dhe minimalisht, as partnerëve”.

Si e tillë, vlerëson ai, kjo kastë politike nuk mund të arrijë që të ketë dialog me kundërshtarët politikë dhe as me faktorin ndërkombëtar.

Zgjedhjet “nuk garantojnë stabilitet”

Radio Evropa e Lirë: Zoti Rashiti, Kuvendi i Kosovës nuk ia arriti të zgjedhë presidentin e vendit dhe praktikisht vendi po hyn në një cikël tjetër zgjedhor. Si i keni parë ju këto zhvillime të fundit?

Naim Rashiti: Para disa vitesh, disa miq ndërkombëtar na thoshin se do të futeni në krizën apo ‘modelin bullgar’ të përsëritjes së zgjedhjeve dhe ne nuk iu besonim. Por, ja ku jemi. Do të thotë, jemi në një situatë të re të krizës, e cila – përtej zgjedhjeve që domosdo do të mbahen – nuk na garanton stabilitet edhe pas zgjedhjeve.

Jemi në një situatë ku mendoj se jemi në krizë dhe do të jemi në krizë afatgjate me qasjen e kësaj kaste politike të papërgjegjshme.

Zhvillimet e djeshme [të së mërkurës] tregojnë disa defekte fundamentale të sistemit politik të Kosovës. Kemi një Kushtetutë shumë moderne – të ndërtuar falë [Martti] Ahtisaarit dhe mbështetjes ndërkombëtare – me siguresa të garantuara të ruajtjes së balancës së pushtetit dhe ndarjes së pushtetit, e cila nuk po i shkon për shtati skenës politike.

Janë dy defekte të mëdha. E para: partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje nuk e pëlqen këtë sistem kushtetues të Kosovës të ndarjes së pushteteve, sistemin proporcional zgjedhor dhe përfaqësimin proporcional. Në çdo mënyrë kërkon ta revidojë.

E dyta: kemi problem me partitë opozitare, të cilat duke qenë gjatë në pushtet, e perceptojnë ndarjen e pushteteve ose marrjen e roleve kushtetuese përmes marrëveshjeve politike dhe ndarjes së pushteteve.

Ky rast nuk ishte për asnjërën. Së pari, rasti i zgjedhjes së presidentit ishte që Lëvizja Vetëvendosje do të duhej të bënte një kompromis për një figurë mbi palët ose së paku jo nga radhët e veta dhe propozimet e veta. LVV-ja nuk pranoi. Së dyti, partitë opozitare do të duhej të ofronin emra të besueshëm, me qëllim të ruajtjes së rendit kushtetues të Kosovës për zgjedhjen e presidentit.

Asnjëra nuk i bëri këto lëvizje. Manovruan, manipuluan procesin. Natyrisht që përgjegjësia kryesore bie mbi Lëvizjen Vetëvendosje. Por, kjo krizë e thellë e identitetit politik të Kosovës në raport me fundamentin e shtetësisë dhe rendit kushtetues të Kosovës, besoj do të sjellë shumë dëme dhe shumë paqartësi për të ardhmen e vendit.

Radio Evropa e Lirë: Praktikat e deritashme kanë treguar se në kriza apo situata të ngjashme, ka pasur një lloj këshilldhënie nga partnerët ndërkombëtarë. Kësaj radhe nuk pamë diçka të tillë…

Naim Rashiti: Jo. Këshilldhënia është zvogëluar që nga viti 2014 e këndej. Faktori ndërkombëtar ka pasur ndikim marramendës në Kosovë deri në vitin 2013 apo 2014, përfshirë edhe mbikëqyrjen ndërkombëtare të pavarësisë së Kosovës, e cila ka përfunduar. Gradualisht, për shkak edhe të ndryshimeve të mëdha globale, është shkëputur tërësisht. Ka edhe një lodhje marramendëse ndërkombëtare me Kosovën dhe është një distancim, është një lënie anash. Kjo mund të jetë një prej arsyeve.

Por, ka edhe ndryshim të aktorëve politikë – sidomos Lëvizja Vetëvendosje, por edhe subjektet tjera – të cilët nuk janë më ato si të tilla që kanë koordinuar për së afërmi politikën, qoftë edhe politikën e brendshme të Kosovës me faktorët ndërkombëtarë.

Ka edhe ndërkombëtarë të tillë që mendojnë se herët është përfunduar mbikëqyrja ndërkombëtare. Ka edhe të tillë që mendojnë se Kosova, përtej krizave, duhet të lihet të maturohet gradualisht dhe duhet të kalojë nëpër të gjitha këto kriza. Ka disa miq ndërkombëtarë që kanë durim ta lënë Kosovën të kalojë nëpër këto kriza, nëpër këto ujëra, por për të cilat ne kemi shumë shqetësime se do të zgjasin shumë gjatë.

“Dëmtimi i institucioneve” nga cikli i krizave

Radio Evropa e Lirë: Kjo paqëndrueshmëri politike dhe institucionale, si ndikon në pozicionin ndërkombëtar të Kosovës?

Naim Rashiti: Thelbi i paqëndrueshmërisë nuk është vetëm situata aktuale. Është dërrmimi, degradimi i shtetësisë që po bëhet, degradimi i rendit kushtetues, degradimi i institucioneve dhe stabilitetit të tyre, degradimi i politikave. Ka rrezik – ka shumë shembuj ndërkombëtarë – që pas një cikli të gjatë të krizave, sistemi bëhet i paqëndrueshëm vetvetiu. Sistemi, nëse jo në tërësi, në disa segmente bëhet i pariparueshëm, bëhet vështirë funksional.

Republika e Kosovës ka qenë në ndërtim e sipër që nga viti 2008 dhe është bërë një përparim, ndonëse me shumë defekte, por është bërë. Esenca e këtyre krizave të njëpasnjëshme është se ai progres është dëmtuar, është rrënuar, institucionet janë shumë më fragjile se që kanë qenë. Aktorët politikë individualë janë shumë të fuqishëm në aspektin e mbështetjes popullore, pra të votës, por janë shumë të dobët në funksionimin e institucioneve. Kanë shumë pak instrumente politike, kanë shumë pak njerëz, kanë shumë pak politika dhe shumë pak instrumente ndërinstitucionale për mbarëvajtjen e institucioneve.

Me qëllim ose jo, këto janë dëmtuar. Por, vet cikli i krizave po i dëmton edhe më shumë. Ky është rreziku për Republikën. Pra, rreziku është që të kthehemi prapa, në një periudhë kur politika ndërkombëtare po ndërron shumë dhe pritjet ndërkombëtar, sidomos të Evropës ndaj Kosovës, janë tërësisht ndryshe.

Radio Evropa e Lirë: Çfarë janë ato pritje?

Naim Rashiti: Pritjet janë që Kosova është dashur t’i bëjë të gjitha detyrat e veta, që të luftojë për statusin e kandidatit për integrim në Bashkimin Evropian, që të sigurojë anëtarësimin në Këshill të Evropës, të marrë më shumë njohje, të ketë më shumë zhvillim. Prej sivjet, të gjithë mekanizmat ndërkombëtarë do të na vendosin në zero ose nën 1 për qind të rritjes ekonomike. Do të na shpallet zyrtarisht që jemi në një situatë të krizës ekonomike, që nga ky vit. Kjo nuk ka ardhur sivjet, por ndër vite, edhe për shkak të ndikimeve të jashtme ekonomike.

Është dashur që zhvillimi ekonomik të përparojë, që investimet publike të rriten, që reformat të përparojnë, të hyrat dhe planifikimet financiare nga Plani i Rritjes [i Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor] të thithen. Kosova nuk do ta bëjë asnjërën nga këto. Kosova do të bëhet njollë edhe më e madhe e krizës politike dhe institucionale.

Pra, Kosova nuk trajtohet vetëm si krizë politike, por trajtohet si krizë politike dhe institucionale sistematike. Kjo situatë të bën joadekuat për të qenë bashkëbisedues me faktorin ndërkombëtar dhe me agjendat ndërkombëtare, qoftë për anëtarësim [në BE], qoftë për proceset e agjendave rajonale, të cilat veçse po ndodhin me Malin e Zi, Shqipërinë dhe të tjera.

Kosova “ka humbur besueshmërinë” te partnerët ndërkombëtarë

Radio Evropa e Lirë: A nënkupton kjo që Kosova po e humbë besueshmërinë te partnerët ndërkombëtarë?

Naim Rashiti: Ka vite që e ka humbur besueshmërinë. Kosova është bërë një plagë e vogël, por pa ndikim përtej, e cila trajtohet si një ‘paciente’ e lënduar, e papjekur, e sëmurë dhe që duhet pritur të shërohet, por për të cilën nuk vjen terapia nga jashtë.

Radio Evropa e Lirë: A është kriza aktuale institucionale një lloj “vule” e kësaj që e thoni?

Naim Rashiti: Absolutisht po. Më e keqja është që nëse i pyet ndërkombëtarët, të gjithë presin që zgjedhjet nuk do të sjellin asgjë të re. Do të jetë vetëm një përpjekje dhe një krizë të re.

Paramendojeni një sistem politik, me rregulla të qarta kushtetuese dhe ligjore, që nuk arrin të zgjedhë një prej mijëra e mijëra njerëzve, si kandidat të mundshëm për president të vendit, sipas normave kushtetuese. Paramendojeni, që kaq kemi.

Kemi një kastë politike që nuk i beson as vetvetes, as aktorëve rreth saj, as strukturave të veta dhe minimalisht, as partnerëve. Me kundërshtarët nuk mund të arrijë që të ketë dialog dhe nuk arrin të ketë dialog as me faktorin ndërkombëtar.

Tri etnitete, të cilat kanë luftuar me njëra-tjetrën në Bosnjë e Hercegovinë, pas çdo cikli zgjedhor arrijnë të formojnë Qeverinë e vet, pa asnjë vonesë sepse formula është e qartë, përfaqësimi është i qartë dhe ndarja e pozitave është e qartë.

Tryeza politike e rrumbullakët në Maqedoninë e Veriut, që nga viti 2001, me të gjitha vështirësitë që ka, funksionon dhe i zgjidhë të gjitha problemet mes partive shqiptare e maqedonase.

Shqipëria, në situatat dhe krizat më të rënda, ka arritur ta zgjedhë një president konsensual, me përkrahje të opozitës.

Ndërkaq, Kosova me një sistem shumë të qartë dhe të pastër elektoral proporcional, nuk arrin të gjejë balancat e veta dhe të ndërtojë dialog për të bërë marrëveshje.

Është një Kushtetutë evropiane [e Kosovës], të cilën Perëndimi po e sheh se politika kosovare nuk e pëlqen. Frika është se të gjitha qendrat ndërkombëtare, krizën e fundit në Kosovë e shohin vetëm si një nga krizat që do të përsëritet prapë.

Kosova “si shtet fragjil” në sytë e ndërkombëtarëve

Radio Evropa e Lirë: Ju tashmë e përmendët pak a shumë, por a do ta dëmtojë kjo krizë procesin e integrimeve evropiane të Kosovës?

Naim Rashiti: Po, në çdo aspekt. Pas zgjedhjeve të kaluara, kur rezultati zgjedhor qartësisht prodhoi një qëndrueshmëri institucionale, i gjithë faktori ndërkombëtar u vërsul drejt kandidatit për kryeministër, Albin Kurti, për të caktuar takime, për të diskutuar agjendat dhe kështu me radhë.

Prej së martës, gjithçka do të ndërrojë. Prapë qasja ndërkombëtare do të jetë ‘nuk ka Qeveri”, sepse kemi Qeveri në detyrë. Pra, kemi një Qeveri në detyrë me shumë të meta nga marrëdhëniet e kaluara që prodhoi po ashtu një Qeveri në detyrë, për shkak të shkeljeve kushtetuese, shkeljeve ligjore dhe me radhë.

Do të kemi ndryshim të tërësishëm qasjesh ndërkombëtare në raport me Kosovën. Prapë do të trajtohet – në rastin eklatant – si një shtet, i cili është fragjil, i paqëndrueshëm, me institucione të paqëndrueshme, si një model, sipas të cilit në 30 vjetët e fundit është trajtuar Libani nga faktori ndërkombëtar. Dhe, ky është dëmi për Kosovën. Kosova nuk ka bashkëbisedues stabil për faktorin ndërkombëtar.

Radio Evropa e Lirë: Lidhur me krizën që tashmë i ka hapur derën zgjedhjeve të parakohshme, ministri tashmë në detyrë i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, ka deklaruar se ajo ka shkaktuar “dëm katastrofal” në planin ndërkombëtar dhe se Kosova nga ndërkombëtarët konceptohet “si shtet që ka probleme serioze në kuptimin e ndërtimit të institucioneve”…

Naim Rashiti: Problemi këtu është që krizat politike e shfaqin paqëndrueshmërinë e tërë sistemit, si dhe paqëndrueshmërinë edhe të zgjedhurit kryeministër.

Ministri i Jashtëm ose ministrat e Jashtëm, më së miri e vërejnë këtë relacion dhe e shohin se sa të paqëndrueshme janë diskutimet me faktorët ndërkombëtarë, kur ti je pjesë e krizave të vazhdueshme ose kur ti je prodhim i krizës apo zgjidhje ad hoc, siç ka qenë edhe ministri i Jashtëm, tani në detyrë. E vëren që nuk je bashkëbisedues për ndonjë agjendë tjetër, përveç asaj javore ose ditore. Ky është dëmi më i madfh, sepse Kosova nuk ka nevojë për agjenda ditore. Vetë fakti që flet për agjenda afatshkurta do të thotë se je në krizë, në marrëdhënie krize dhe me krizë serioze, sidomos në relacion me BE-në, me QUINT-in, me shtetet të cilat të kanë njohur.

Mbase nuk është e ditur, por kemi vende mike të Kosovës që janë bërë grup për ta mbështetur Kosovën përsëri për Këshill të Evropës. Ndërkaq, këndej, ti nuk arrin ta zgjedhësh një president të besueshëm, për ta avancuar agjendën e shtetndërtimit. Në këtë situatë, në parametrat ndërkombëtarë të politikës ndërkombëtare, ti nuk je aspak bashkëbisedues i besueshëm për asnjë agjendë.

Ky është fakt i pamohueshëm, ky është realiteti, të cilin qytetari nuk e ndien përditë, por ai që merret me politikën, ai që ulet në Ministri të Jashtme apo në çdo institucion, e ndien çdo ditë. Çdo diskutim që mund të ndodhë [me faktorin ndërkombëtar], është pothuajse joformal.

Radio Evropa e Lirë: Zoti Rashiti, në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nuk është se është shënuar ndonjë zhvillim i madh, së paku në këto dy-tre vjetët e fundit. Megjithatë, ripërsëritja e zgjedhjeve, a e dobëson këtë proces edhe më shumë apo mund të mos ndikojë fare?

Naim Rashiti: Dialogu Kosovë-Serbi ka ndryshuar formë viteve të fundit, sidomos pas marrëveshjes së Brukselit në vitin 2023. Ka dy orientime, dy paralele. Paralelja e parë është që do të ketë përpjekje të nivelit trepalësh [BE, Kosovë, Serbi] ose dypalësh – Kosovë dhe Serbi – për negociata që të përmbyllet zbatimi [i marrëveshjes]. Por, segmenti kryesor i dialogut, që nuk është i dukshëm, është dialogu bilateral BE-Kosovë dhe BE-Serbi.

BE-ja në dokumentet e saj ka përcaktuar qartë obligimet për secilën palë. Tash, BE-ja më shumë është e fokusuar që të sigurojë zbatimin e marrëveshjes nga dialogu, si pjesë e marrëdhënies ndërmjet BE-së dhe Kosovës sesa si pjesë e dialogut Kosovë-Serbi.

Pra, kemi një sërë kriteresh shumë specifike nga BE-ja për Kosovën, për të zbatuar dialogun. Fakti që nuk ka takime me Serbinë, nuk do të thotë që nuk ka dialog, sepse dihet saktë për secilën palë se çfarë duhet të zbatojë. Krejt çka pritet, është që Kosova, në pjesën më të madhe të dialogut, të bëjë punën e vet dhe t’i zbatojë ato që janë në përgjegjësinë e saj, në komunikim me BE-në, sikurse që ndodhi edhe me dokumentet dhe me Ligjin për të huajt.

Natyrisht, është një segment i madh i normalizimit të plotë, që do të jetë pjesë e dialogut me Serbinë. Por, ato takime nuk varen vetëm nga Kosova. Varen edhe nga Serbia sepse edhe ajo është në krizë, por për këtë pjesë Kosova nuk fajësohet dhe nuk i kërkohet llogari.

Kosovës do t’i kërkohet llogari të bëjë pjesën e saj, të merret me nenet, me çështjet, me definimet që janë përcaktuar në Marrëveshjen e Brukselit dhe Aneksin e Ohrit, që janë obligime të Kosovës ndaj dialogut dhe të cilat janë artikuluar si obligime të Kosovës ndaj BE-së, ndaj procesit të integrimit. Këtu mund të bëhet shumë punë dhe Kosova mund të përfitojë shumë nëse merret me zbatimit të tyre, si proces i bashkërenduar me faktorin ndërkombëtar, sepse fundja, kështu kanë ndodhur të gjitha proceset.

Radio Evropa e Lirë: A mund ta bëjë këtë Kosova duke pasur kriza të njëpasnjëshme politike dhe institucionale?

Naim Rashiti: Absolutisht jo, sepse tash nuk ka Kuvend, nuk ka Qeveri. Problemi është se kur themi ‘e dërmon sistemin institucional’, kjo nuk nënkupton vetëm për çështjen e dialogut, por se institucionet nuk po e bëjnë punën e vet për asnjë temë, në asnjë çështje.

Degradimi institucional po ndodh në të gjitha fushat dhe jo vetëm për çështjen e dialogut, kur kemi kriza të tilla. Institucionet tona funksionojnë me shumë vështirësi edhe kur kemi legjitimitet të plotë politik dhe institucional, kur kemi Qeveri shumë të fortë, e lëre më kur kemi Qeveri në detyrë, e cila është tërësisht e preokupuar me agjendë elektorale. Ka ndodhur edhe në të kaluarën, por sidomos në këto vitet e fundit.

Radio Evropa e Lirë: A mundet kjo krizë politike dhe institucionale, si dhe ky cikël i përsëritur i zgjedhjeve, të shfrytëzohet nga aktorët tjerë “dashakeq” ndaj Kosovës?

Naim Rashiti: Gjithmonë ka pasur hapësirë dhe ka hapësirë. Është vështirë të artikulohet se si mund të ndikojnë. Kriza politike dhe institucionale nuk do të sjellë rezultate të mira, por do të sjellë paparashikueshmëri. Se çfarë do të jetë, është vështirë të mendohet.

Fati i mirë është se Serbia është e preokupuar me skemat e veta dhe e tërë agjenda ndërkombëtare është e ngatërruar. Rajoni në tërësi është stabil. Duhet të kuptojmë, sidomos që procesi i negociatave të Malit të Zi dhe të Shqipërisë me BE-në ka rritur stabilitetin në rajon.

Nuk ka ndonjë parametër që na tregon se mund të ketë eksploatim të situatave të tilla [si kriza në Kosovë]. Por, ka pakënaqësi marramendëse qytetare. Ka rënie në fushën e rendit dhe ligjit, ka varfëri, ka rënie të ekonomisë, të cilat janë parametra që gjenerojnë situata të caktuara, por jo menjëherë. Do të vijë situata në vitet e ardhshme, kur do t’i paguajmë çmimet e këtyre krizave politike. Se si do të manifestohen apo transmetohen ato, si protesta, manipulime apo ndryshe, nuk dihet.

Por, e gjithë ajo që mund të vijë nuk do të jetë vetëm si shkak i krizës politike. Është edhe narracioni politik, të cilin liderët dhe subjektet politike e bartin bashkë me frymën e kësaj krize politike dhe institucionale. Ky është dëmi më i madh. Asnjë prej subjekteve politike, asnjë nga lidershipi i partisë në pushtet, nuk flasin për stabilitet, vizion, qëndrueshmëri, bashkërendim, kohezion shoqëror, kohezion institucional e kështu me radhë.

Radio Evropa e Lirë: A prisni se ky narracion do të ndryshojë dhe a duhet të ndryshojë?

Naim Rashiti: Jo nuk pres. Natyrisht që do të duhej të ndryshonte, por askush nga faktori ndërkombëtar nuk beson që do të ndryshojë dhe as unë nuk besoj. Për këtë arsye, Kosova është në një situatë ku KFOR/NATO duhet të kujdesen më shumë. KFOR/NATO nuk shohin se ka një bashkëbisedues stabil në Kosovë. Po ashtu as BE-ja. E dimë që të gjitha vizitat e zyrtarëve të lartë evropianë janë shtyrë për shkak të krizës.

Më e keqja është – nga pikëpamja e përgjithshme e analizës, por edhe nga pritjet ndërkombëtare – se kjo do të vazhdojë./REL