Rashica e dërgon Werderin në çerekfinale të kupës

Milot Rashica e ka frymëzuar Werder Bremenin drejt çerekfinales në Kupën e Gjermanisë, duke shënuar një gol dhe kontribuar në një tjetër në triumfit 3:2 ndaj Borussia Dortmundit.

Anësori i Kombëtares së Kosovës, Rashica e realizoi atë që ishte goli i tij i parë në vitin 2020, si dhe dha kontribut të madh te goli i parë i Bremenit të martën në Weserstadion, raporton Gazeta Express.

Bremeni tani zë vend në mesin e tetë skuadrave më të mira në Kupën e Gjermanisë, megjithëse e Dortmundi ishte favorit për shumë njerëz para përballjes së rundit të katërt.

Skuadra e Florian Kohfeldt, që vinte në këtë takim në formë tejet të dobët në ligë ku po lufton për mbijetesë, e nisi ndeshjen furishëm duke kaluar në epërsi pas një çereku lojë.

Diave Selke realizoi për 1:0 pas një topi të kthyer nga portieri, pasi fillimisht Rashica kishte goditur fuqishëm nga largësia.

Pas gjysmë ore lojë, Leonardo Bittencourt realizoi një gol fantastik me vollei nga largësia për ta dyfishuar epërsinë e vendasve.

Erling Haaland, i ardhur nga stoli në pjesën e dytë, e ktheu Dortmundin në lojë duke shënuar golin e parë në portën boshe, i cili ishte i teti në katër paraqitje deri tani për skuadrën e re.

Por Rashica, i cili nuk kishte shënuar gol në ndeshej zyrtare për Bremenin që prej dhjetorit, ia ndali gëzimin në gjysmë vizitorëve, kur realizoi gol të bukur nga largësia me një goditje të fuqishme me të djathtën.

Giovanni Reyna me mbase golin më të mirë të takimit i dha shpresë Dortmundit për rikthim dhjetë minuta para fundit.

Por Bremeni ia doli të mbahej deri në fund dhe e siguroi biletën për çerekfinale. /Gazeta Express/