Zyrtarët në Haiti kanë thënë se një sulmues ka tentuar të vrasë kryeministrin e këtij shteti, Ariel Henry, gjatë një organizimi për të shënuar përvjetorin e pavarësisë.
Incidenti ka ndodhur të shtunën, pasi Henry ka arritur në një kishë në qytetin Gonaives.
Në disa fotografi të publikuara online, është parë se kryeministri dhe anëtarët e sigurimit kanë tentuar të hyjnë sa më shpejt në makinë, si pasojë e të shtënave masive.
Situata e sigurisë në këtë shtet është përkeqësuar prej vrasjes së presidentit, Jovenel Moise, në korrik të vitit të kaluar.
Henry është zotuar se do të shtypë bandat e fuqishme, të cilat besohet se janë fajtore për kidnapime dhe kontrollim të furnizimeve me gaz, gjë që ka përballur shtetin me mungesa.
Zyra e kryeministrit ka thënë se “banditët dhe terroristët” kanë qenë mbrapa tentimeve për vrasje, dhe se janë lëshuar disa fletarreste për të dyshuarit.
Henry është bërë udhëheqës i shtetit pas vrasjes së Moise.
Shkaqet e vrasjes së tij nuk dihen ende.
Autoritetet nuk kanë bërë të ditur ndonjë datë të saktë se kur do të zgjidhet presidenti i ri.
Rritja e shkallës së dhunës dhe situata ekonomike, bashkë me disa katastrofa natyrore, kanë bërë që shumë banorë të Haitit të kërkojnë mundësi për jetesë më të mirë në vende tjera.