Raportohet se Irani ka shtruar disa kërkesa si kusht për t’u pajtuar për fundin e luftës

Irani ka paraqitur një grumbull kërkesash formale për t’i dhënë fund luftës, në kontekstin e bisedimeve të tërthorta të njoftuara nga presidenti amerikan, Donald Trump, raporton televizioni izraelit, “Channel 12”.

Sipas këtij raportimi, zyrtarët iranianë po kërkojnë garanci të forta që luftimet nuk do të rinisin, bashkë me një rregullim të ri për Ngushticën e Hormuzit që praktikisht do ta vendoste atë nën kontrollin iranian, transmeton gazeta “The Times of Israel”.

Televizioni “Channel 12” thotë se Irani gjithashtu po e kërkon mbylljen e bazave ushtarake amerikane në rajon dhe dëmshpërblim financiar për dëmet e pësuara gjatë luftës.

Megjithatë, në një raport tjetër të mediumit të njëjtë sugjerohet se Teherani gjithashtu mund të jetë duke sinjalizuar privatisht një nivel të caktuar të fleksibilitetit në bisedime. Në raport paraqiten ato që thuhet se janë pozicione të hapura të Iranit në bisedime, siç janë marrë vesh nga Shtetet e Bashkuara, por pa u cituar ndonjë burim.

Sipas këtij raporti, Irani mund të jetë i gatshëm që ta ndërpresë programin e raketave balistike për pesë vjet, ta “zvogëlojë” pasurimin e uraniumit dhe të hyjë në diskutime për rezervat e uraniumit të pasuruar në nivelin 60 për qind.

Televizioni “Channel 12” shton se Irani gjithashtu mund të pajtohet që ta lejojë Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë Bërthamore që t’i inspektojë centrifugat e mbetura dhe ta ndërpresë financimin e grupeve rajonale, përfshirë Hezbollahun, Hamasin dhe grupet militante irakiane./Nacionale