Raportohet se hetimet penale ndaj Prigozhinit po vazhdojnë

Pas një rebelimi të armatosur të mercenarëve të Wagner-it, hetimet penale ndaj shefit të këtij grupi, Yevgeny Prigozhin, ende po vazhdojnë, sipas mediave ruse.

Hetuesit nga shërbimi i brendshëm sekret rus, FSB, po vazhdojnë të hetojnë këtë rast, raportoi e përditshmja ruse Kommersant, duke cituar hetuesit.

“Hetimet po vazhdojnë”, raportoi po ashtu agjencia e lajmeve Interfax, duke cituar burime.

Ndërkaq, ende nuk dihet se ku është Prigozhin. Sipas Kremlinit, ai ka gjetur strehim në Bjellorusinë fqinje.

Gjatë një fjalimi të dielën presidenti rus, Vladimir Putin, tha se organizatorët e rebelimit do të përballen me “dënim të pashmangshëm”.

Por, më vonë përmes një njoftimi u tha se rebelët nuk dot ë ndëshkohen.

Autoritetet ruse, ndërkaq, kanë ndërmarrë aksione ndaj grupit Wagner në Rusi.

Sipas mediave lokale, zyrat e Wagner-it në Shën Petersburg, janë bastisur. Këto zyra ishin përdorur së fundi nga Prigozhin.

Posterët për rekrutimin e vullnetarëve për shërbim ushtarak në Ukrainë po ashtu janë hequr në mbarë Rusinë.

Mijëra mercenarë shërbejnë në Wagner. Rrjeti social rus, VK, ka bllokuar faqen e Wagner-it me instruksionet e Zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm.

Prigozhin, që ma mbi 1.3 milion ndjekës në Telegram, të dielën mbrëma postoi në këtë rrjet social duke njoftuar për përfundimin e rebelimit të shkurtër, pas negociatave me liderin autoritar bjellorus, Alyaksandr Lukashenka.

Prigozhin dhe Lukashenka, ndarazi kanë deklaruar se tërheqja e trupave të Wagner-it u bë për të parandaluar “gjakderdhjen” në Rusi. Paraprakisht, luftëtarët e Wagner-it ishin nisur drejt Moskës.

Të hënën, autoritetet ruse kanë publikuar një video të ministrit të Mbrojtjes, Sergei Shoigu, që shfaq atë duke u konsultuar me zyrtarët ushtarakë në zonën e luftës në Ukrainë.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg.

Ministria e Mbrojtjes së Rusisë tha se Shoigu vizitoi një nga postet komanduese në front, por nuk dha më shumë detaje.

Shoigu nuk ishte shfaqur në publik pasi Prigozhin nisi rebelimin të premten mbrëma dhe për një kohë të shkurtër pushtoi qytetin jugor rus, Rostov-on-Don,

Prigozhin ka qenë kritik i Shoigut dhe zyrtarëve të tjerë ushtarakë rusë lidhur me pushtimin rus të Ukrainës, dhe shpesh ka akuzuar ushtrinë ruse se nuk po furnizon me municion luftëtarët e Wagner-it.

Më 26 qershor, gjendja e jashtëzakonshme u hoq në Moskë. Kjo gjendje u shpall pas nisjes së rebelimit./ REL

 

Top Channel