Të paktën 20 njerëz thuhet se u vranë të martën në Iran, sipas agjencisë gjysmëzyrtare të lajmeve, “Mehr”, përfshirë dy fëmijë që u vranë nga një sulm në provincën Alborz.
Dy persona të tjerë u vranë nga një sulm në një urë hekurudhe në qytetin Kashan. Sipas agjencisë “Mehr”, këto dy sulme u kryen nga Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli, transmeton televizioni CNN.
Civilë të tjerë u vranë nga disa sulme në zona banimi në qytetin Pardis, raportoi agjencia “Mehr”, përfshirë “disa fëmijë të pafajshëm”.
Në një përditësim që e bëri të enjten, Gjysmëhëna e Kuqe Iraniane tha se mbi 2.000 njerëz janë vrarë në Iran nga 28 shkurti, kur filluan sulmet amerikano-izraelite. Ministria e Shëndetësisë e Iranit tha të hënën se në mesin e të vrarëve janë të paktën 216 fëmijë.
Ndërkohë, shumë njerëz janë vrarë nga konflikti edhe në rajon. Ministria e Shëndetësisë e Libanit tha të martën se nga 2 marsi, të paktën 1.530 njerëz janë vrarë në këtë shtet nga sulmet izraelite, në mesin e tyre të paktën 130 fëmijë.
Në Irak, autoritetet kanë thënë se, nga fillimi i luftës, janë vrarë të paktën 110 njerëz. Në rajonin gjysmautonom të Kurdistanit, të paktën 15 njerëz janë vrarë, përfshirë dy nga një sulm ndaj një ndërtese banimi këtë mëngjes, sipas qeverisë rajonale.
Së paku 23 civilë janë vrarë në Izrael që nga fillimi i luftës. 11 ushtarë izraelitë gjithashtu janë vrarë në jug të Libanit, sipas ushtrisë izraelite.
Trembëdhjetë pjesëtarë të ushtrisë amerikane janë vrarë që nga fillimi i luftës, sipas Komandës Qendrore./Nacionale


