Presidentja Vjosa Osmani, ka reaguar pas raportimeve se ajo do t’i nënshtrohet një verifikimi të pasurisë nga ana e Agjencisë Kundër Korrupsionit.
Këshilltari i presidentes, Bekim Kupina ka deklaruar se presidentja mirëpret çdo verifikim nga cilido institucion, që është i bazuar në pavarësi dhe paanshmëri.
“Presidentja Osmani mirëpret çfarëdo verifikimi nga cilido institucion, që është i bazuar në pavarësi, paanshmëri, integritet, ligj dhe fakte të vërteta, por jo në fushata njollosjesh, të cilat dihet mirëfilli pse po ndodhin në këtë fazë”, tha Kupina për Telegrafin.
Nga ana tjetër, Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit ka bërë të ditur se në këto momente nuk mund të japin asnjë koment mbi këtë çështje, duke mos e konfirmuar e as mohuar një procedurë të mundshme ndaj presidentes.
© SYRI.net




