Në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut sot u prezantua Raporti më i ri i Komisionit Evropian. Ky raport u pranua nga kryekuvendari Afrim Gashi, transmeton Portalb.mk.
“Ambasadori i Bashkimit Evropian, Michalis Rokas, ia paraqiti Kryetarit të Kuvendit, Afrim Gashi, Raportin e Progresit të Komisionit Evropian për Republikën e Maqedonisë së Veriut për vitin 2025”, njoftoi Kuvendi i Maqedonisë së Veriut.
Në takimin mes Gashit dhe Rokas morën pjesë edhe koordinatorët e grupeve parlamentare.
Maqedonia e Veriut mbetet vetëm pjesërisht e përgatitur në luftën kundër korrupsionit dhe nuk ka shënuar progres, ndërsa korrupsioni vazhdon të jetë i përhapur dhe shqetësues. Tragjedia e 16 marsit 2025 në Koçan ekspozoi mangësi serioze në zbatimin e masave antikorrupsion. KSHPK u përball me krizë besueshmërie pas aktakuzës ndaj kryetares së saj, ndërsa institucioni duhet të forcojë udhëzimet, verifikimin e pasurisë dhe mbikëqyrjen e financimit zgjedhor. Prokuroria dhe njësitë hetimore vuajnë nga mungesa e stafit dhe burimeve, ndërsa rastet e korrupsionit të nivelit të lartë shpesh vonohen, parashkruhen ose përfundojnë me dënime minimale. Rekomandimet e vitit të kaluar mbeten të paadresuara. Vendi duhet të miratojë Kodin e ri Penal, të zbatojë strategjitë antikorrupsion dhe të sigurojë burime të mjaftueshme për institucionet kyçe. Këto janë disa nga vërejtët e Komisionit Evropian në Raportin e Progresit për Maqedoninë e Veriut.
BE-ja i përpilon këto raporte për vendet që synojnë anëtarësimin në bllokun evropian.
Raporti i KE-së për progresin e vitit të kaluar u publikua më 30 tetor. Në fushën e luftimit dhe parandalimit të luftës kundër korrupsionit u tha se Maqedonia e Veriut nuk ka bërë përparim dhe se korrupsioni mbetet i përhapur në shumë fusha dhe është një çështje shqetësuese serioze. Korniza institucionale për luftën kundër korrupsionit është e vendosur dhe është e kënaqshme për sa i përket masave parandaluese, megjithatë, nevojitet përmirësim në zbatimin e ligjit.




