Raporti i KE-së: Maqedonia e Veriut e harmonizuar tërësisht me BE-në në politikën e jashtme dhe atë të sigurisë

Maqedonia e Veriut në pjesën e kapitullit 30 – marrëdhënie të jashtme është e përgatitur mesatarisht dhe ka arritur nivel të mirë të gatishmërisë, e në raport me kapitullin 31 – politikë të përbashkët të jashtme është arritur përparim shumë më i mirë me harmonizimin e plotë me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë të BE-së pas invadimit rus në Ukrainë, vlerëson KE-ja në Raportin për përparimin e vendit për vitin 2022.

“Maqedonia e Veriut arriti përparim shumë të mirë me harmonizimin e plotë me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë të BE-së pas invadimit rus në Ukrainë. Me këtë, Maqedonia e Veriut tregoi se mund të jetë partnere e besueshme”, qëndron në Raportin.

Në pjesën e kapitullit 30 – marrëdhënie të jashtme, në dokumentin bëhet e ditur se BE-ja ka politikë të përbashkët tregtare ndaj vendeve të treta, të bazuara në marrëveshje multilaterale dhe bilaterale dhe masa autonome. Ekzistojnë edhe rregulla të BE-së në fushën e ndihmës humanitare dhe politikës zhvillimore.

“Vendi është mesatarisht i përgatitur në fushën e marrëdhënieve të jashtme dhe ka bërë përparim gjatë vitit të kaluar. Maqedonia e Veriut vazhdoi bashkëpunimin e mirë me BE-në, duke përfshirë edhe atë në kuadër të Organizatës Botërore të Tregtisë (OBT) dhe zbatimin e protokolleve CEFTA. Megjithatë, Maqedonia e Veriut në periudhën e raportit ka vendosur kufizim të eksportit të numrit ët caktuar të produkteve pa prezantuar mjaft arsyetime, duke mos i ndjekur procedurat e përcaktuara në Marrëveshjen e stabilizim-asocimit (MSA). Këto vendime duhet të shfuqizohen, ndërsa Maqedonia e Veriut duhet të përmbahet nga ndërmarrja e masave të njëanshme tregtare pa arsyetim dhe konsultim paraprak me Komisionin, në përputhje me angazhimet e saj në MSA, bëhet e ditur në Raportin.

Kapacitetet institucionale për pjesëmarrje të plotë në politikat komerciale, zhvillimore dhe humanitare në BE, vlerësohet se janë të pamjaftueshme.

“Rekomandimet e vitit të kaluar janë implementuar pjesërisht. Vitin e ardhshëm vendi veçanërisht duhet t’i largojë pjesën e mbetur të kufizimeve të paarsyeshme tregtare, të vendosë kornizë juridike që mbulon bashkëpunimin ndërkombëtar dhe politikën zhvillimore si dhe ndihmën humanitare ndaj vendeve që nuk janë anëtare të BE-së në përputhje me politikat dhe parimet e BE-së. Është i nevojshëm implementimi i mëtejshëm i plotë i Protokollit 6 CEFTA për tregti me shërbime dhe lidhjen dhe miratimin e Protokollit 7 CEFTA për zgjidhjen e kontesteve”, konstaton dokumenti për periudhën e raportit.

Në raport me politikën e përbashkët tregtare, bëhet e ditur se Maqedonia e Veriut vazhdoi t’i koordinojë pozicionet e saj dhe i harmonizon ngushtë politikat e saj me ato të BE-së, duke përfshirë edhe ato në kuadër të OBT-së dhe i mbështetë reformat e OBT-së. Zbatohen tërësisht dispozitat nga Marrëveshja për lehtësimin e tregtisë, ndërsa Komiteti kombëtar për lehtësimin e tregtisë u takuan dy herë në vitin 2021. Nuk kishte përparim në bisedimet për arritjen e Marrëveshjes për furnizime publike të OBT-së.

Kapaciteti administrativ i Ministrisë së Ekonomisë, e cila është e obliguar për politikën tregtare duhet të jetë e forcuar në mënyrë plotësuese. Në mars të vitit 2022, bëhet e ditur, Qeveria vendosi kufizime kuantitative me ndalesën për eksport të vajit të lulediellit, grurit, elbit, misrit dhe miellit të grurit, duke e arsyetuar këtë me mungesën kritike të produkteve themelore në tregun vendor në dritën e luftës në Ukrainë. Këto kufizime u pezulluan në maj të vitit 2022.

Mirëpo, në korrik të vitit 2022, Maqedonia e Veriut sërish i vendosi restrikcionet për eksport të grurit, miellit të grurit dhe farës së lulediellit dhe i zgjeroi këto kufizime te disa lloje të drurit. Në secilin nga këto raste, nuk ishin siguruar dëshmi të mjaftueshme për mungesë dhe Komisioni nuk ishte njoftuar ose konsultuar paraprakisht, siç kërkohet, sipas MSA-së. Në tetor të vitit 2022 Qeveria vendosi t’i heqë 105 kufizimet për eksportin e grurit, miellit të grurit dhe farave të lulediellit. Kufizimet tjera eksportuese të disa llojeve të drurit duhet të largohen pa prolongim, përveç nëse nuk ka arsyetim të mjaftueshëm për këtë.

Maqedonia e Veriut vazhdoi të marrë pjesë në mënyrë aktive në CEFTA dhe kryesonte aktivitetet e organizatës në vitin 2021. Vendi u zotua që të zbatojë plan veprimit për zhvillimin e tregut të përbashkët rajonal mes vendeve të Ballkanit Perëndimor. Në rrjedhë është implementimi i Protokollit plotësues 6 për shërbime. Vendi mori pjesë aktive në zbatimin e korridoreve të gjelbra, duke siguruar qarkullim të papenguar të të mirave themelore në vendkalimet kryesore kufitare me vendet fqinje. Marrëveshja e ndryshuar për tregti të mirë mes Maqedonisë së Veriut dhe vendeve të CEFTA-s u ratifikua në dhjetor të vitit 2021, duke zëvendësuar atë me Protokollin lidhur me konceptin e origjinës së produkteve dhe metodat e bashkëpunimit administrativ.

Sistemi për kontrollin e eksportit të mallrave dhe teknologjive me përdorim të dyfishtë është funksional. Vendi përgatiti ndryshime të ligjit të tij kornizë për kontrollin e eksportit me përdorim të dyfishtë me qëllim që të harmonizohet me Rregullativën e BE-së 2021/821 për kontrollin e eksportit, transferim, ndërmjetësimit dhe transitit të mallrave dhe teknologjive me përdorim të dyfishtë. Rregullisht bëhet informim i industrisë për ndryshimet ligjore.

Në fuqi janë 36 marrëveshje bilaterale me vende të treta (BIT), nga të cilat 19 janë vende anëtare të BE-së. Vendi punon në azhurnimin e modelit ekzistuese të marrëveshjeve për BIT. Nuk kishte përparim në politikën zhvillimore dhe ndihmën humanitare. Vendi inkurajohet të vendosë kornizë të politikave në fushat për zhvillim dhe bashkëpunim ndërkombëtar, si dhe ndihmë humanitare, ndaj vendeve që nuk janë anëtare të BE-së në përputhje me politikat dhe parimet e vlefshme të BE-së.

Kapitulli 31 – Politikë e jashtme, e sigurisë dhe mbrojtjes, ka të bëjë me detyrimet e vendit për harmonizimin në këto segmente me politikat e BE-së. Me fjalë tjera, vendet anëtare duhet të jenë të afta të udhëheqin dialogë politikë në kuadër të politikës së jashtme, të sigurisë dhe të mbrojtjes, të harmonizohen me deklaratat e BE-së, të marrin pjesë në aksionet e BE-së dhe t’i zbatojnë sanksionet e dakorduara dhe masat restriktive.

“Maqedonia e Veriut arriti nivel të mirë të përgatitjes në fushën e politikës së jashtme, të sigurisë dhe të mbrojtjes. Është arritur përparim shumë i mirë gjatë periudhës së raportit, pasi që vende u harmonizua

tërësisht me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë të BE-së pas invadimit rus në Ukrainë”, vlerësohet në Raportin.

Pjesëmarrja në misionet dhe operacionet për menaxhimin e krizave të BE-së ishte forcuar. Në vitin e radhës, bëhet e ditur, vendi duhet të mirëmbajë harmonizimin me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë të BE-së.

Dialog i rregullt politik për çështje nga politika e jashtme dhe e sigurisë mes BE-së dhe vendit vazhdoi, duke përfshirë edhe përmes angazhimit aktiv të Maqedonisë së Veriut në dialogun joformal të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor në nivel të drejtorëve politik. Ekziston kornizë institucionale që mundëson pjesëmarrjen e vendit në politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë. Për politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë (PPJS), shkalla e harmonizimit të vendit me deklarata relevante të përfaqësuesve të lartë të BE-së në emër të vendimeve të miratuara të BE-së dhe Këshilli është 100 për qind në shkurt të vitit 2022 (krahasuar me 96 për qind në vitin 2021). Kjo e vërteton qartë orientimin strategjik të vendit drejt BE-së.

Pas invazionit rus në Ukrainë, vendi menjëherë u harmonizua tërësisht me masat restriktive të BE-së për Rusinë dhe Bjellorusinë, duke përfshirë edhe për sanksionet e pashlyera të imponuara pas anektimit të paligjshëm të Krimesë. Qeveria vazhdon t’i zbatojë masat restriktive të BE-së. Maqedonia e Veriut dëboi 11 diplomatë rusë dhe në së paku dy raste refuzoi lejen për fluturim të 106 aeroplanëve rusë.

Maqedonia e Veriut, shtohet, u harmonizua edhe me të gjitha deklaratat e BE-së të parashtruara në organizatat ndërkombëtare (KB, OSBE dhe Këshillin e Evropës), duke përfshir edhe pozicionin e BE-së në Asamblenë e Përgjithshme të KB-ve gjatë votimit për rezolutat në lidhje me agresionin e Rusisë kundër Ukrainës dhe ndikimit humanitar të saj. Maqedonia e Veriut votoi, shtohet, për suspendimin e Federatës Ruse nga Këshilli për të drejtat e njeriut i KB-ve.

Raporti vlerëson edhe se Maqedonia e Veriut mban marrëveshje bilaterale për imunitet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me të cilën qytetarët amerikanë përjashtohen nga juridiksioni i Gjykatës Ndërkombëtare Penale. “Me këtë, vendi nuk i respekton pozicionet e përbashkëta të BE-së për integritetin e Statutit të Romës ose me parimet e ndërlidhura udhëheqëse të BE-së për marrëveshjet bilaterale për imunitet. Prandaj është i nevojshëm harmonizimi i pozicionit të BE-së”, qëndron në dokumentin.

Për parandalimin e konflikteve, Maqedonia e Veriut, e vazhdoi implementimin e Udhërrëfyesit rajonal të vitit 2018 për zgjidhje të qëndrueshme për posedim të paligjshëm, keqpërdorim dhe tregti me armë të vogël dhe të lehtë dhe municionin e tyre në Ballkanin Perëndimor. Për mospërhapje, Maqedonia e Veriut merr pjesë në disa, por jo në të gjitha aranzhimet dhe instrumentet ndërkombëtare. Vendi merr pjesë në Iniciativën për siguri nga proliferimi dhe Kodi i sjelljes i Hagës.

Vendi është i përkushtuar në përmbushjen e kërkesave për aderim drejt Aranzhimit Vasenar. Vendi kryesoi Grupin këshillëdhënës multinacional të Qendrës për Bashkëpunim të Sigurisë (RACVIAC) deri në tetor të vitit 2021. Ajo vazhdoi të bashkëpunojë në mënyrë aktive me organizatat ndërkombëtare, njëherësh iu bashkëngjit BE-së me mbështetje të vendimit për suspendim, e më vonë edhe përjashtimin

e Rusisë nga Këshilli i Evropës. Si kryesuese e OSBE-së në vitin 2023, Maqedonia e Veriut iu bashkua Polonisë dhe Suedisë në Treshen e OSBE-së nga janari i vitit 2022 dhe do ta marrë përsipër kryesimin e Grupit për partneritet mesdhetar për bashkëpunim.

Në raport me masat e sigurisë, në fuqi është Ligji për informacione të klasifikuara, i cili mbështetet në vendimin e Këshillit të vitit 2013. Rregullat nënligjore me të cilat rregullohet mbikëqyrja inspektuese e punës me informacione të klasifikuara janë në fuqi nga viti 2019, derisa ata për siguri personal u miratuan në korrik të vitit 2022. Marrëveshja për shkëmbim dhe mbrojtje të ndërsjellë të informacioneve të klasifikuara u nënshkruan me Greqinë dhe SHBA-në dhe janë duke u zhvilluar bisedime me Belgjikën, Portugalinë dhe Norvegjinë.

Vendi vazhdoi të marrë pjesë në mënyrë aktive në operacionet e BE-së për menaxhimin e krizave në kuadër të sigurisë së përbashkët dhe politikës së sigurisë (CSDP), veçanërisht EUFOR ALTHEA në Bosnjë e Hercegovinë. Maqedonia e Veriut merr pjesë në trajnim misionin ushtarak në Republikën Qendrore Afrikane (EUTM RCA). Në shkurt të vitit 2022, Maqedonia e Veriut e nënshkroi notën për Aderim drejt Marrëveshjes teknike për vendosjen e grupit luftarak multinacional të BE-së me Greqinë si komb kornizë dhe pjesëmarrje të Bullgarisë, Qipros dhe Rumanisë (HELBROC BG).

Maqedonia e Veriut mirëmban prani në një numër të madh të misioneve të kryesuara nga NATO, duke përfshirë edhe KFOR në Kosovë. Në mas të vitit 2022, Maqedonia e Veriut ishte nikoqire e stërvitjes së NATO-s „Përgjigje e shpejtë 22“ në të cilën morën pjesë 4.500 persona nga tetë vende aleate. Vendi vazhdon të marrë pjesë në operacionin paqësor të Kombeve të Bashkuara në Liban (UNIFIL).

Maqedonia e Veriut e përfundoi hulumtimin për rreziqe hibride të BE-së me qëllim që të identifikohen ndjeshmëritë sistemore dhe racionalizimi i ndihmës së siguruar nga BE-ja në këtë fushë. Në bazë të rekomandimeve të BE-së nga hulumtimi, Qeveria e miratoi Strategjinë kombëtare për ndërtimin e rezistencës dhe përballjen me kërcënime hibride (2021-2025), bashkë me Planin e veprimit në dhjetor të vitit 2021, përfshihet në Raportin për kapitujt 30 dhe 31 që janë pjesë e Klasterit 6.