Raporti i KE-së, BESA nuk pajtohet me interpretimin e Qeverisë që vendi ka bërë përparim të dukshëm

“Si subjekt politik serioz, Lëvizja BESA nuk pajtohet me interpretimin e Qeverisë së RMV-së, që vendi paska bërë përparim të dukshëm në të gjashtë sferat e vlerësimit. Kjo për faktin që gjuha zyrtare e Autoriteteve të Komisonit Evropian është “Gjuhë e përmbajtur diplomatike” e cila duhet deshifruar ndërmjet rrjeshtave”, u shpreh Bilall Kasami, kryetar i Lëvizjes Besa, në një konferencë për media të mbajtur sot.

“Për Lëvizjen BESA, është i papranueshëm prononcimi i Zyrtarëve të qeverisë që ‘notat e marra janë të kënaqshme’, kur të njëjtat nuk kalojnë mbi shkallën 2. Kjo, sepse përveç klasterit për Politikat e Sigurisë së Jashtme në rajon dhe balancimin e tyre me politikat e BE-së, dhe të NATO-s, të gjithë klasterët tjerë janë të vlerësuar gati se pa ndonjë përparim përmbajtësor! Madje ato kanë rezultuar edhe më dobët se vlerësimi paraprak, që nënkupton notë zero, njësh ose dysh. Stagnim dhe mos lëvizje nga vendi ka, dhe ai vërehet në Luftën kundër korrupsionit të lartë, Nepotizmit dhe Proteksionizmit, paaftësinë për menaxhimin transparent me financat e vendit, si dhe paaftësinë për thithjen e fondeve te BE-së, dhe keqmenaxhimin e tyre, tani dhe në të kaluarën. Gjithashtu, edhe në sferën e sundimit të së drejtës dhe mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, Komisioni edhe përkundër faktit që thekson se shteti ka përparim në këtë drejtim ngrit si shqetësim gjendjen dhe kushtet në burgje, gjendjen e të cilave e konsideron si tragjike, si dhe paaftësinë e Qeverisë për të përpiluar një strategji për reforma në mediume dhe për adaptimin e Kodit Zgjedhor në përputhje me standardet dhe praktitat ndërkombëtare. Lëvizja BESA edhe një herë konstaton që fjala është për një Raport që flet për joseriozitetin e Qeverisë rreth sugjerimeve të Komisionit Evropian, mungesën e vullnetit dhe kapacitetit të mjaftueshëm politik të Qeverisë, të luftojë dekadencën që pengon negociatat për antarsim të plotë të vendit në BE”, u shpreh Kasami.