Raporti i BE-së për Maqedoninë kërkon zbatimin e ligjeve dhe jo zgjidhjeve “ad hoc”

Nevojitet zbatim efektiv i legjislacionit ekzistues, në vend të nisjes së nismave “ad hoc”, thuhet ndër të tjera në draft raportin e Komisionit Evropian për Maqedoninë e Veriut, njofton “Radio Evropa e Lirë”.

Maqedonia e Veriut është e përgatitur në mënyrë të moderuar sipas pothuajse të gjitha kritereve, thuhet në draft-raportin e Komisionit Evropian, i cili do të publikohet të mërkurën.

Ka progres të mirë vetëm në kriteret ekonomike dhe ka rezultate shumë të mira në përputhshmërinë e shtetit me politikën e jashtme dhe të sigurisë evropiane.

Në raport thuhej se puna e Kuvendit ishte ndërprerë për shkak të ndarjes politike që vonoi miratimin e shumë ligjeve. Nevojitet një planifikim dhe konsultim i mirë për të kufizuar miratimin e ligjeve me procedurë emergjente dhe pyetjet parlamentare duhet të jenë më të shpeshta.

“Duhen përpjekje të vendosura për të krijuar një momentum për reforma dhe anëtarësim në procesin e negociatave me BE-në. Fokus i veçantë nevojitet për të siguruar zbatimin efektiv të legjislacionit ekzistues, në vend të iniciativave së nismave ad hoc”, thuhet në Raport.

Marrëveshja e Ohrit është ende duke u zbatuar dhe marrëdhëniet ndëretnike konsiderohen të qëndrueshme.