Ramushi “përze” nga Qeveria listën “Serpska”

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Gazmend Syla, pas deklaratës së presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçic për luftë, ka thënë se serbët, sipas tij, kanë ende pretendime për Kosovën, shkruan GazetaBlic.

Për GazetaBlic, Syla ka potencuar se kërcënimi për luftë ka ardhur nga një njeri, i cili siç ka deklaruar Syla, ia ka puthur dorën vrastare Millosheviqit.

“Dje na kërcënoi me luftë njeriu që ia kishte puthur dorën vrastare për vite të tëra Millosheviqit, sot aparatçikët e tij në Kosovë po pajtohen me të. Problemi i të dyve dihet sheshit. Atyre ua ka hasur sharra në gozhdë në vitin 1999. Që të dyja palët kanë ende pretendime mbi Kosovën. Fatmirësisht, Kosova Republikë nuk zhbëhet dhe i kotë është secili sabotazh i tyre”, ka thënë ai.

Më tej, Syla ka komentuar edhe mungesën e Listës Serbe në Kuvend, ndërkohë që kjo e fundit ka përkrahur edhe deklaratat e Vuçiqit.

“Lista Serbe, me mungesat e fundit në seancat e Kuvendit ka bërë që të mos votohet Ligji për Rimëkëmbje Ekonomike. Ata nuk e kanë më vendin në Qeveri, por në Beograd”, ka thënë Syla.

Kujtojmë që Vuçiq, gjatë ditës së djeshme, ka thënë se zgjidhja më e mirë e mundshme është përmes dialogut, në të kundërtën, sipas tij, mund të ndodhë ndonjë konflikt i llojit të Nagorno Karabakut.

Ky kërcënim ngjalli reagime të ashpra nga politikanët kosovarë.

Ushtruesja e detyrës së presidentit të Kosovës, Vjosa Osmani, tha se pret që Bashkimi Evropian dhe NATO-ja të reagojnë ndaj “kërcënimit” të Vuçiqit për “luftë të dhunshme”.

Ndërkaq, kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, tha se deklarimet e presidentit të Serbisë nuk janë në dobi të normalizimit të marrëdhënieve midis dy vendeve.

Ndaj kësaj deklarate të presidentit serb reaguan edhe nga partitë tjera politike në Kosovë, e po ashtu edhe ministrja për Punë të Jashtme dhe Diasporë, Meliza Haradinaj-Stublla.

Por, këto reagime të skenës politike kosovare në Serbi i cilësuan si histerike./GazetaBlic