Tenori shqiptar me famë ndërkombëtare, Ramë Lahaj, ka shënuar së fundmi një tjetër sukses të rëndësishëm në karrierën e tij artistike, duke u ngjitur në skenë në Federatën Ruse.
Kjo paraqitje nuk u konsiderua vetëm si një performancë muzikore e nivelit të lartë, por edhe si një akt domethënës i promovimit të kulturës dhe identitetit shqiptar në arenën ndërkombëtare, shkruan albinfo.ch.
Pas performancës, Lahaj ka ndarë një deklaratë emocionale, ku ka theksuar se promovimi i vlerave kulturore shqiptare ka qenë gjithmonë pjesë thelbësore e misionit të tij profesional. Ai ka bërë të ditur se përmes muzikës dhe zërit të tij, kënga dhe fjala shqipe kanë udhëtuar në disa kontinente, duke qenë të pranishme në teatrot dhe orkestrat më prestigjioze të botës.
“Një pjesë e përmbushjes sime më të madhe profesionale ka qenë promovimi i kulturës dhe vlerave tona, e në veçanti i muzikës, këngës dhe fjalës shqipe. Këtë herë e solla edhe në Rusi. Vitet e fundit, këngën shqipe e kam bërë të udhëtojë në disa kontinente dhe ajo ka qenë pjesë e teatrove dhe orkestrave të rëndësishme në mbarë botën”, është shprehur tenori shqiptar.
Ai ka theksuar gjithashtu lidhjen e fortë dhe të pazëvendësueshme që ka me gjuhën shqipe, duke nënvizuar se do të vazhdojë ta përfaqësojë atë kudo që performon.
Me një mesazh të fuqishëm emocional, Lahaj ka deklaruar se shqip do t’i këndojë botës sa të jetë gjallë, duke e cilësuar gjuhën shqipe si gjuhën në të cilën i buzëqesh shpirti dhe zemra, pasi në atë gjuhë i ka kënduar nëna dhe kanë kënduar edhe të parët e tij në momente gëzimi dhe hidhërimi.



