Ramabaja: Veriu nga 3 shkurti 2000, ishte pushtuar nga paramilitarët serbë

*Sadri Ramabaja, analist politik

Veriu i Kosovës që nga nata mes 3 dhe 4 shkurtit të vitit 2000, de fakto, ishte pushtuar nga forcat paramilitare serbe të njohura me emrin e koduar ‘Rojat e urës’. Atë natë ata vranë 10 shqiptarë, në mesin e të cilëve fëmijë, gra e pleq; plagosën 25 qytetarë tjerë, ndërkaq dëbuan rreth 12 mijë banorë shqiptarë, madje në sy të forcave të KFOR-it që komandohej nga një oficer frëng. Krijuan kështu enklavën e veriut që do ta kontrollonin për dy dekada rresht.

Rikthimi i pushtetit legal të Republikës në veriun e saj, në rrugë e me mjete paqësore e demokratike, natyrisht edhe për shkak se në Prishtinë pushtetet kishin pranuar në heshtje këtë aneksim të butë të veriut, nuk ishte vënë në rend të ditës asnjëherë.

Produkt i këtij “dorëzimi të heshtur” janë marrëveshjet e 2013 dhe 2015, që kishin për objektiv ta legalizonin këtë aneksim të butë, duke i dhënë pushtetin real Beogradit.