Ndërkohë që Edi Rama mashtronte hapur publikisht duke thënë se integrimi i vendit po përparon, radio ‘Evropa e Lirë’ konfirmoi zyrtarisht se integrimi i vendit ka ngecur për shkak të qëndrimit të Edi Ramës për Belinda Ballukun.
Sipas kësaj radioje, vendet e BE nuk po e miratojnë raportin IBAR për negociatat për shkak të vendimit të Edi Ramës për të mbrojtur Belinda Ballukun.
Ndërkohë, gazetari i njohur kosovar, Augustin Palokaj, shkruan se në fakt raporti IBAR është bllokuar që prej tre muajsh.
Kjo do të thotë se në fakt BE e ka marrë vendimin për të bllokuar integrimin që kur Edi Rama deklaroi se kërkesa për heqjen e imunitetit të Ballukut nuk është në përputhje me Kushtetutën.
Vendimi për të rrëzuar kërkesën e SPAK vetëm sa ka konfirmuar akoma më shumë bindjet e vendeve të BE për të mos lejuar fillimin e mbylljes së kapitujve të negociatave.
“Mali i Zi është i vetmuar si prijës (front runner) në procesin e zgjerimit sipas rregullave ekzistuese. Edhe pse shpesh epiteti “front runner” me vlerësimet se ka bërë “progres të paparë” përmendet edhe Shqipëria, dallimi mes Malit të Zi dhe Shqipërisë megjithatë është i madh. Mali i Zi i ka të hapur të gjithë kapitujt negociues dhe i ka mbyllur deri me tash 14 prej tyre. Deri në muajin qershor pritet të mbyllë së paku edhe gjashtë të tjerë dhe në këtë mënyrë t’i afrohet përmbylljes së procesit të negociatave të anëtarësimit.
Shqipëria ka hapur vitin e kaluar të gjitha kapitujt dhe tash është në pritje të nisë mbylljen e tyre. Por për të mbyllur cilindo kapitull, Shqipëria duhet të ketë një raport pozitiv për përmbushjen e kritereve kalimtare nga fusha e sundimit të ligjit (IBAR). Komisioni Evropian e ka bërë një raport të tillë por ai duhet të pranohet nga vendet anëtare. E aty ka ngecur miratimi i tij, sepse disa shtete duan më shumë dëshmi se sundimi i ligjit në Shqipëri nuk pengohet,” shkruan Palokaj në gazetën Koha.
“Pasi tashmë kaluan tre muaj të vitit 2026 dhe Shqipëria nuk e ka të miratuar një IBAR, gjithnjë e më shumë dallimi mes Malit të Zi dhe Shqipërisë po thellohet. Prandaj, nëse do të ketë zgjerim sipas rregullave ekzistuese, Mali i Zi ka gjasat më reale për t’u bërë vend i 28-të anëtar,” thekson gazetari.



