Rama tregon arsyet pse qeveria u tërhoq nga rritja e çmimit të energjisë

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka bërë të ditur se fasha e energjisë elektrike për 800 kilovat në orë nuk do të hyjë në fuqi në muajin tetor, sikurse ka vendosur Enti Rregullator i Shqipërisë.

Përmes një videoje në Facebook, Rama tha se ky lajm është pozitiv, ndërkohë që iu bëri thirrje qytetarëve që ta kursejnë sa më shumë energjinë.

“Kursimi i energjisë është arma kryesore për ta kaluar këtë dimër pa kufizime energjie. Unë dhe kjo qeveri jemi këtu jo vetëm për të garantuar mbrojtjen e çmimit të energjisë, por dhe për të mos lënë asgjë pa bërë që barra faktike dhe psikologjike e kësaj lufte dhe inflacionit që ka sjellë, të lehtësohet sa më shumë. Jam këtu për t’ju thënë se sot kam një lajm pozitiv pas një diskutimi që jemi zhvilluar mbrëmë. Në 1 shtator kur vendosëm fashën, kërkesa për energji nga KESH-i ishte rreth 17 mijë, sot është 11 mijë kilovat/orë. Kjo kërkesë ishte ndjeshëm më e lartë se sa ç’është sot dhe në këtë ulje të ndjeshme ka luajtur rol rënia e temperaturave dhe rol të rëndësishëm ka fillimi i një qasje pozitive të abonentëve familjarë për ta kursyer energjinë. Ditët e fundit kemi pasur përmirësim të nivelit në Fierzë dhe presim rrjedhje të tjera në fund të 10-ditëshit të parë të tetorit. Bazuar në këto kushte, ne vendosëm që kalimi i fashës 800 kilovat të mos hyjë në fuqi në muajin tetor. Ndërkohë të gjithë duhet të jenë të vëmendshëm që ta kursejnë sa më shumë energjinë”, tha Rama. /Tvklan.al

“Në këtë ulje të ndjeshme, ka luajtur rol rënia e temperaturave të nxehta, por s’ka dyshim se rol të rëndësishëm, ka edhe fillimi i dukshëm i një qasjeje pozitive të abonentëve familjarë, për ta kursyer energjinë. Në këto kushte, ne vendosëm që aplikimi i fashës 800kw, të mos hyjë në fuqi në 1 tetor”, theksoi ai.