Rama thirrje ndërkombëtarëve: Të merren masa simetrike ndaj Serbisë në raport me ato që janë aplikuar për Kosovën

Në kuadër të vizitës zyrtare në Zagreb, kryeministri i vendit, Edi Rama dhe homologu i tij kroat, Andrej Plenković kanë dhënë një konferencë të përbashkët për media.

Gjatë fjalës së tij, kryeministri Rama i ka bërë thirrje Bashkimit Evropian që të marrë masa menjëherë dhe pa humbur kohë ndaj Serbisë për shkak të sulmit të ndodhur në veri të Kosovës.

Rama ka thënë se duhen marrë masa simetrike për Serbinë, minimumi në raport me ato që janë marrë më parë për Kosovën.

Edi Rama: Këtu nuk bëhet fjalë për masa, të cilat do të marrin miratimin e të gjitha vendeve anëtare, këtu bëhet fjalë për masa simetrike minimumi në raport me ato që janë marrë më parë për Kosovën, të cilat duhet të merren dhe për Serbinë, minimumi. Nëse nuk ka konsensus për të bërë më shumë në nivelin e Këshillit Evropian, ka programe, ka marrëdhënie, të cilat përdoren për të thënë “Stop, stop” dhe në asnjë mënyrë nuk mund të pranohet që në mes të Evropës dhe në mes të një rajoni, ku të gjithë kanë dëshirën që të bëhen pjesë e BE-së, ku një grup kriminal me uniforma ilegale t’i marrë jetën një efektivi police dhe pastaj t’i gëzohet nderit më të lartë që mund të ekzistojë, zisë kombëtare në vendin ku ka origjinën, kjo është e papranueshme dhe e dënueshme.

Doja të shtoja vetëm një element. Çfarë do të prisnim ne nga hetimi ndërkombëtar, konkretisht? Që në fund fare mund të japë edhe ndonjë element më shumë, por pa pasur nevojë për një hetim ndërkombëtar ne kemi faktin, kemi krimin, vrasjen e një efektivi të policisë dhe kemi heroizimin e atyre që morën pjesë në vrasje. Hetimi ndërkombëtar, në aspektin politik dhe të qëndrimit të një shteti në raport me disa norma dhe vlera të kësaj Evrope, në të cilën duam të jemi të gjithë një familje e bashkuar, kjo është qartësisht e mjaftueshme, madje më shumë se e mjaftueshme, që minimalisht, ato masa të cilët komisioni mund të marrë pa nevojën e konsensusit mes të gjitha vendeve anëtare të ishin marrë menjëherë dhe duhet të merren pa humbur kohë sepse është në lojë një gjë shumë më e madhe se kaq: Fati i një procesi që kërkon një qëndrim të vijueshëm, të drejtë dhe pa diskutim të shpejtë të vetë BE-së që është edhe ura e një dialogu që në asnjë mënyrë nuk duhet të dështojë, por duhet të shkojë përpara. Nuk ka nevojë për hetim ndërkombëtar për t’i hedhur këto hapa, pastaj hetimi ndërkombëtar të vijë nëse e merr përsipër dikush.

Kryeministri kroat, Andrej Plenković, është shprehur se së shpejti, Lajçak do të bëjë një propozim lidhur me raportin Kosovë-Serbi teksa dënoi qëndrimin e Serbisë lidhur me mbajtjen e ditës së zisë për sulmuesit.

Andrej Plenković: Lajçak, do të bëjë një propozim. Kur të vijë propozimi do të shohim se çfarë përmban. Një vepër e tillë nuk do të mbetet pa përgjigje dhe deklarimi i ditës së zezë në Serbi ka qenë diçka e papranueshme dhe është diçka që nuk ka qenë e mirë dhe jam i sigurtë që në ditët në vijim, do të rrjedhin propozimet në bazë të kësaj që kemi përmendur./tvklan.al