Rama sulmon protestuesit: Po harxhojnë shumë para për t’i bërë dëm vendit!

Rama si në çdo postim këto 3 javë sulmoi sërish protestuesit, ashtu siç ka bërë çdo ditë duke shigjetuar target-grupe të ndryshme që dalin në protestë. Kësaj here sulmi i Ramës u përqëndrua te shqiptarët e rajonit që janë bërë pjesë e protestës.

Kryeministri theksoi se shqiptarët në Maqedoninë e Veriut nuk konsiderohen diasporë e Shqipërisë, por qytetarë të një shteti fqinj ku janë pjesë e strukturës shtetformuese, ndërsa të njëjtën gjë e tha edhe për shqiptarët e Kosovës.

Në reagimin e tij, kryeministri kritikoi pjesëmarrjen e shqiptarëve nga rajoni në protestat në Tiranë, duke e cilësuar si një përfshirje të nxitur nga interesa politike dhe duke pretenduar se kjo dëmton imazhin e shqiptarëve jashtë vendit.


Postimi i Ramës:

Nuk e njoh zonjën, po më çoi dikush këtë postim që më nxiti shënimin më poshtë:

Shqiptarët e Maqedonisë së Veriut nuk janë diasporë e Shqipërisë në tokë të huaj, së bashku me maqedonasit e veriut ata janë popull shtetformues në tokën e tyre në shtetin fqinj!

Diasporë janë mërgimtarët në vende të huaja, jo ata dhe as shqiptarët e Kosovës jo e jo, të cilët kanë shtetin e tyre të pavarur.

Kur ushtarët e verbër të karvaneve politike nga Prishtina e Tetova paraqiten në Tiranë si “diasporë”,, me flamuj kombëtarë që bëhen dekor i një farse të tillë dhe me plisa të bardhë që nxihen prej një marreje si kjo, ata janë thjesht viktima të zellshme që nuk ia bëjnë dot vetes një pyetje të thjeshtë:

Brengoset apo gëzohet kush i do shqiptarët në sherr e në rrëmujë, kur e sheh këtë “diasporë” të Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës të turret si një hordhi pushtuese mbi kuaj me katër rrota drejt Tiranës, për të rrëzuar qeverinë e Shqipërisë?

Kjo është një pyetje që në fakt duhet t’ia bëjnë vetes sponsorët e tyre, të cilët i siguroj se po i harxhojnë paratë vetëm e vetëm për t’i bërë dëm kombëtar e ndërkombëtar imazhit të shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut dhe vetë Kosovës. Sepse sa për mua dhe qeverinë e Partisë Socialiste duhet të vazhdojnë të paguajnë naftë, ushqim e qeleshe, deri ditën kur mbaron kontrata jonë e pazgjidhshme me 856.177 shqiptarë e shqiptare, brenda e jashtë atdheut. Maj 2029.

Dhe nuk do të më hiqet kurrë nga mendja përdhosja e flamurit çlirimtar të UÇK-së, duke u ngritur si bajrak urrejtjeje për rrëzimin e qeverisë në Tiranë! Çfarë dhurate për ata që nuk e njohin Kosovën dhe për ata që gjithnjë na kanë përqeshur si një popull pa aftësi shtetbërëse. Bash përdhosës e baltosës kësisoj ia kanë sjellë në majë të pendës edhe Atit të Shqiptarisë, Gjergj Fishtës:

“Ju rrugaça e sallahana,
vagabonda shakllabana,
rriqna t’ndyet, mikrobe t’kqij,
qi të mjerës moj Shqipni
kthelltë hi i keni n’mushkni…”

Post Scriptum. Dhe mos të spekullojë askush duke e lidhur këtë shënim me emrin e kryeministrit të Kosovës, sepse kurrësesi nuk mund ta bëj e as ta nënkuptoj në asnjë rrethanë përgjegjës, për asnjë prej sallahanave të Vetëvendosjes që janë përfshirë në këtë çorbë dreqërish. Nuk e them këtë hiçasfare për një larje protokollare goje, por sepse e di mirë që çdo çadër e gjerë politike mban edhe sallahanat e vet dhe do të fyeja inteligjencën e Albinit po të mendoja se ai gjykon si ata. Kështu që lëreni Albin Kurtin jashtë kësaj çorbe të neveritshme.

© Panorama.al