Rama sot viziton familjen e Thaçit, nesër në konferencë me Kurtin pas mbledhjes së dy qeverive

Nesër do të mbahet në Prishtinë, mbledhja e përbashkët e dy qeverive Shqipëri-Kosovë. Draft-marrëveshjet që do të firmosen mund të jenë gati pasi kryeministri i Kosovës Albin Kurti i kërkoi ministrave që deri më 10 qershor të përfundoheshin çështjet që lidhen me marrëveshjet ndërshtetërore.

Kurse sot, Kryeministri Edi Rama i shoqëruar nga disa ministra të kabinetit të tij, pritet të vizitojë familjen e ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi në Kosovë. Po ashtu, Rama do të vizitojë dy nga fabrikat eksportuese më të mëdha kosovare.

Sipas agjendës Rama do të ndalet në orën 17:00 në Xërxë në fabrikën e miellit, “M&Sillosi” ku do të bisedojë me rreth 500 fermerë, ndërsa në 17:45, do ta vizitojë fabrikën e dyshekëve, “Comodita” në Gjakovë.

Kjo është hera e dytë që Rama vizion sektore të korporatës. Hera e parë ishte më 2014. Në këtë vizitë në Kosovë, Rama do jetë bashkë me delegacionin ku bëjnë pjesë, ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, ajo e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca, Mirela Kumbaro e Turizmit dhe Mjedisit, si edhe Elisa Spiropali, ministre për marrëdhëniet me parlamentin,

Pasi t’i kenë përfunduar këto vizita të dielën, ministrat do të shkojnë në Prishtinë, ndërsa Rama do të shkojë në Burojë, te familja e ish-presidentit Hashim Thaçi, të cilin e vizitoi ditë më parë edhe në qendrën e paraburgimit në Hagë.

Një ditë më pas, në Prishtinë mbahet takimi i radhës i qeverive të Kosovës dhe Shqipërisë. Mbledhja e fundit e qeverive Kosovë-Shqipëri u mbajt në fund të nëntorit të shkuar në Elbasan. Në këtë mbledhje u theksua nevoja e bashkëpunimit mes vendeve teksa synohet të shkohet drejt një tregu të përbashkët, ku shqiptarët të jetojnë, studiojnë, punojnë dhe të dalin në pension në të dyja anët e kufirit.

Agjenda e kryeministrit Rama nesër

11.00 – Mbërritja e z. Edi Rama, Kryeministër i Republikës së Shqipërisë

Ceremonia zyrtare e pritjes

11.15 – Hapja e sesionit plenar të mbledhjes së dy qeverive Kosovë – Shqipëri

Fjalë e z. Albin Kurti, Kryeministër i Republikës së Kosovës

Fjalë e z. Edi Rama, Kryeministër i Republikës së Shqipërisë

Fjalë të shkurtra nga anëtarë të dy kabineteve për të parashtruar çështjet kryesore dhe marrëveshjet për nënshkrim

12.20 – Prezantimi nga z. Eric SMIT, Drejtor i “Royal Haskoning DHV”

Infrastruktura portuale dhe hekurudhore kombëtare në funksion të tregut të përbashkët kombëtar dhe katër lirive ekonomike: Projekti i Portit të ri tregtar në Porto Romano, integrimi me hekurudhën Durrës – Prishtinë, dhe Porti i thatë në Kosovë.

12.30 – Ceremonia e nënshkrimit të marrëveshjeve ndërqeveritare

12.45 – Konferencë e përbashkët për shtyp e dy Kryeministrave

18.00 – Promovimi i librit “Përplasja e Madhe” të Enver Hoxhaj

/abcnews.al