Rama: S’më vjen mirë që Kurtit i janë mbyllur dyert në Evropë dhe Amerikë

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka thënë se pavarësisht mospajtimeve që ka me kryeministrin Albin Kurit lidhur me veriun, nuk i vjen mirë që kryeministrit të Kosovës nuk i hapet asnjë derë dhe që i anulohen vizitat nëpër Evropë apo edhe në Amerikë.

Rama thotë se një gjë e tillë i duket e tmerrshme, derisa përmend edhe ngrirje të programeve të caktuara të BE-së me Kosovën, shkruan Express.

Ju mendoni që mua më jep kënaqësi fakti, që meqë unë s’jam dakord me Albinin në këtë temë dhe në këtë moment, Albinit nuk i hapet asnjë derë dhe i kthehen mbrapsht edhe vizitat e planifikuara në zyrat e homologëve nëpër Evropë apo në Amerikë. Përkundrazi më duket e tmerrshme. Apo që programe të caktuara kanë ngrirë, të bashkëpunimit të BE-së me Kosovën dhe kështu me radhë”, ka thënë Rama.

“Unë nuk hyj tek ata që konsideroj ndërkombëtarët dhe partnerët si Zotin vetë. Zoti është mbi ne dhe mbi ndërkombëtaret. Është mbi Amerikën dhe mbi Shqipërinë. Por në këtë rast është katastrofë që të këputen lidhjet në këtë far feje me bashkësinë euro-atlantike, që sipas disa filozofëve në Kosovë s’ekziston as si koncept”, ka shtuar Rama duke shprehur gatishmëri për takim me Kurtin në çdo moment.

Ai ka thënë se sa i përket raportit personal me Kurtin, është një raport shumë i mirë, megjithatë thotë se në aspektin konceptual kanë probleme të mëdha shumë.