Rama: Serbia ka faj për ngecjen në dialog, ta pranojë se s’ka më ‘Kosova dhe Metohia’

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka deklaruar se Serbia mban përgjegjësinë kryesore për ngecjen e dialogut me Kosovën, duke theksuar se Beogradi ende nuk e ka pranuar realitetin e ri se ekziston Republika e Kosovës.

Në një intervistë për Euronews Serbia, Rama ka thënë se problemi kryesor qëndron te refuzimi i Serbisë për ta pranuar ndryshimin e realitetit.

“Serbia është më përgjegjësja për situatën në dialog, sepse nuk është e gatshme ta pranojë realitetin, ndërsa realiteti ka ndryshuar. Nuk ekziston më diçka që quhet ‘Kosova dhe Metohia’; ekziston Republika e Kosovës”, u shpreh Rama.

I pyetur për faktin se pesë shtete anëtare të Bashkimit Evropian ende nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, Rama u shpreh se ky është një numër i vogël në raport me shumicën e vendeve që e kanë njohur shtetin e Kosovës.

“Pesë nga 27 janë ende pak. Kjo tregon se shumica dërrmuese e vendeve e kanë pranuar realitetin. Nuk bëhet fjalë për dobësi, por për pranimin e faktit se realiteti ka ndryshuar. Ashtu si kombet e tjera të ish-Jugosllavisë gjetën rrugën drejt pavarësisë, edhe shqiptarët kishin të drejtën e vetëvendosjes. Natyrisht, kjo duhet të shoqërohet me bashkëpunim dhe marrëdhënie harmonike me pakicën. Sot shqiptarët nuk janë më pakicë në Serbi, ndërsa serbët janë pakicë në Kosovë”, deklaroi ai.

I pyetur për qëndrimin e kryeministrit në detyrë të Kosovës, Albin Kurti, lidhur me zbatimin e Marrëveshjes së Brukselit dhe formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, Rama shmangu komentet direkte.

Rama: Kosova është shtet për ne, por jo për Serbinë – ky është problemi i madh
“Nga njëra anë mund të thuhet se ka pasur lëvizje të caktuara, por nga ana tjetër mund të thuhet se ka pasur terror nga grupe terroriste që kanë ardhur nga Serbia. Unë kam një rregull që e respektoj gjithmonë: nuk flas kurrë për opozitën time në një gjuhë të huaj. Mos më kërkoni të them në një gjuhë të huaj gjëra që kanë të bëjnë me Albin Kurtin dhe me vëllezërit e motrat e mia në Kosovë”, deklaroi Rama.

Në fund, kryeministri shqiptar theksoi se Serbia, si shteti më i madh në rajon, duhet të përballet me të kaluarën dhe me realitetin e ri.

“Sipas mendimit tim, dhe këtë e kam thënë edhe në Beograd, sa më shpejt që Serbia ta pranojë se ekziston një realitet i ri, aq më mirë do të jetë për vetë Serbinë”, përfundoi Rama.