Rama: Punët në kryeqytet po kryhen përkundër pengesave nga Qeveria

Ndër projektet më të mëdha në Prishtinë e ka cilësuar kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, projektin për ndërtimin e ishullit Urban Arbëria – Pallati i Rinisë.

Ai ka deklaruar të mërkurën se ky projekt do të ketë shumë benefite, derisa tha se punët po kryhen “përkundër pengesave që i kemi nga qeveria qendrore”.

“Ky nuk do të jetë vetëm projekt por do të jetë park i ri për banorët e Arbërisë. Premtimet që i kemi bë po i transformojmë në realitet. Benefitet janë shumë dimensionale. Një numër i madh i qytetarëve nuk kanë mundësi të kalojmë në këmbë në këtë pjesë dhe janë të pa sigurta. Tash kjo do të ndryshojë. Pas investimeve të mëdha në Rrugën A, tash është ky njëri ndër projektet më të mëdha të kryeqytetit. Punët po ndodhin në të gjitha pjesët e kryeqytetit përkundër pengesave qe i kemi nga qeveria qendrore. Qytetarët na kanë besuar udhëheqësinë e kryeqytetit dhe nuk do të ndalemi”, ka deklaruar Rama.

Me Ramën ishte edhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku.

Ai ka deklaruar është i lumtur që projektet e tilla po ndodhin në Prishtinë.

“Përparimi po e lë një shenjë historike në Prishtinë ashtu siç ka premtuar. Jemi krenarë të gjithë për këtë. Prandaj, Përparim bëhu gati edhe për 3 projekte të mëdha. Për unazën e kryeqytetit, Stadiumin e ri në Bernicë, dhe për spitalin e ri në Prishtinë”, u shpreh Rama.

Ky projekt do të kushtojë 6.5 milionë euro.

I pyetur nga KOHA për marrëdhëniet me Lumir Abdixhikun, Përparim Rama tha se gjithmonë i kanë pasur marrëdhëniet e mira dhe se do ta ketë mbështetjen e tij për të kandiduar edhe për një mandat.