Rama: Presidenti dhe Berisha nxisin dhunën

Kreu i qeverisë, Edi Rama ka qenë sot në spital ku ka vizituar efektivin e policisë që po rrezikon të humbas shikimin, pas dëmtimit që mori në protestë. Rama në një deklaratë për mediat u shpreh se efektivi është në gjendje të rëndë dhe familja e tij është duke përjetuar një traumë.

Protestuesit Rama i quajti një lukuni dhe tha se protesta nuk ka asnjë lidhje me lirinë dhe demokracinë.

“Nuk është absolutisht në asnjë rast, në asnjë mënyrë kjo lukuni e lidhur me asnjë që ka të bëjë me lirinë me demokracinë dhe nuk ka asnjë lidhje asgjë që ka të bëjë me dhimbjen dhe tronditjen e shqiptarëve kur morën lajmin e humbjen e jetës të 25-vjeçarit nga reagimi disporopocional i efektivit të policisë”, tha Rama.

Më tej ai foli dhe për efektivin që vrau Klodian Rashën duke premtuar se do të dënohet sipas ligjeve në fuqi.

“Sot efektivi nuk bëri asnjë përpjekje për alibi dhe do të dënohet sipas ligjit, kjo është drejtësia. Morali është ai i ministrit të Brendshëm, që ishte një gjest fisnikërie duke mos pasur asnjë faj direkt apo indirekt”, u shpreh Rama

Një mesazh e pati dhe për Presidentin dhe ish-kryeministrin duke i akuzuar se po nxisin dhunën. Kur u pyet për dëmtimet e qytetarëve tha se nuk janë asnjë para dëmtimit të efektivit që është shtruar në spital.

“Ato dhjetërat bëni mirë në radhë të parë të mos flisni me dhjetarë por ti numëroni, ato plagosjet bëni mirë t’i numëroni dhe mos t’i zmadhoni por këtu sot është një sa për një mijë dhe po humbet dritën e syrit. Të gjithë kanë të drejtën të shprehin indinjatën e tyre, por mos të presin asnjë fije floku të të tjerëve. Presidenti i Republikës akoma nuk është kujtuar që të dënojë dhunën dhe inkurajon lukuninë që të bëjë atë që bëri. Prova janë fjalët e Presidentit bashkë me atë tjetrin që ka qenë Kryeministër që u thonë shqiptarëve se dhuna është zgjidhja”, tha më tej kreu i qeverisë.

Lidhur me emrin e ri të ministrit të Brendshëm, Rama nuk preferoi të jepte një përgjigje./tvklan.al