Qeveria miraton 99 projekte infrastruktuore për 75 komuna të ndryshme në vend

Në seancën e 28-të Qeveria ka miratuar 99-të projekte infrastrukturore për 75 komunat e ndryshme në Maqedoninë e Veriut përcjell SHENJA. Qeveria në këtë séance gjithashtu ndau 30 milionë denarë mjete të pakthyeshme për Komunën e Haraçinës.

Qeveria bëri të ditur se për këto 99 projekte janë ndarë 35 milionë euro, që do të shpenzohen kryesisht për rindërtimin e rrugëve lokale, ujësjellës, kanalizim, çerdhe, shkolla, objekte sportive, shëndetësore dhe projektet tjera të propozuara nga Komuna.

“Në seancën e sotme u miratua Vendimi për ndarjen e mjeteve nga Buxheti i RMV-së për vitin 2020 në vlerë prej 30.000.000 denarë për Komunën e Haraçinës, si mjete financiare të pakthyeshme për menaxhimin e pasojave të shkaktuara nga kriza Kovid-19”, njoftojnë nga Qeveria.

Qeveria sot gjithashtu miratoi edhe pakon e katër për masat kundër pasojave të shkaktuara nga Kovid-19.

“Qeveria e RMV-së në seancën e 28-të vendosi pako të re të masave për mbështetje në menaxhimin e pasojave nga kriza e Kovid-19”, njoftojnë nga Qeveria, duke theksuar se vlera e përgjithshme do të arrijë në 488.803.928 denarë.