Rama për situatën në veri: Kosova e ka mbështetjen e Shqipërisë

Kryeministri Edi Rama ka thënë se Qeveria e Shqipërisë e mbështetë plotësisht Qeverinë e Kosovës në lidhje me situatën e krijuar në veri.

Ai ka thënë se Qeveria e Kosovës e ka të gjithë solidaritetin, mirëkuptimin dhe mbështetjen e Shqipërisë.

Këto deklarata Rama i ka bërë në prezantimin e Projektit të Portit të ri Tregtar të Durrësit në Porto Romano, aty ku i ftuar ishte edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Ai ka thënë se Kurti nuk ka mundur të marrë pjesë, për shkak të situatës në veri.

Rama edhe të dielën përmes një postimi në Facebook ka dënuar dhunën ndaj Policisë së Kosovës dhe zyrtarëve të EULEX-it.

“Sulmet mbi EULEX-in janë të dënueshme pa asnjë ekuivok ashtu siç është i dënueshëm çdo akt dhune ndaj policisë së Kosovës. Rishfaqja e barrikadave në veri të Kosovës, bie ndesh me çdo ligj e çdo frymë dialogu e jo vetëm nuk zgjidh asgjë, po përkundrazi komplikon më tej çdo gjë!” – ka shkruar Rama në Twitter të dielën.